Ndërkohë që protesta vijon në ditën e 106-të, protestuesit janë përballur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Balluku është parë e shoqëruar nga një vajzë, ndërsa protestuesit i janë drejtuar me thirrje të forta.
“O hajdute”, “Rama në burg, Belinda në burg”, “O hajdute, te cila vilë do të shkosh?”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve ndaj saj.
Përballja ka ndodhur në një moment kur Balluku ndodhet në qendër të hetimeve të SPAK.
Në ditët e fundit, në kuadër të hetimeve ndaj saj, SPAK ka vijuar mbledhjen dhe publikimin e të dhënave që lidhen me një vilë luksoze në Palasë. Sipas materialeve të bëra publike nga hetimi, vila dyshohet se është në pronësi faktike të Ballukut, ndërsa në dokumentacion rezulton në emër të personave të tjerë.
Në dosjen e hetimit janë bërë publike gjithashtu komunikime dhe dokumente që lidhen me projektimin dhe arredimin e vilës. SPAK dyshon se prona është përfituar në mënyrë të tërthortë në lidhje me marrëdhëniet me kompani që kanë përfituar tendera gjatë kohës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët, SPAK ka bërë të ditur edhe sekuestrimin e një pasurie në Dhërmi, për të cilën ka deklaruar se ndodhet në pronësi indirekte të Ballukut.
Në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, Balluku është marrë e pandehur për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, ndërsa më pas ndaj saj janë ngritur edhe dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.





