Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e saj të nëntë, duke regjistruar pjesëmarrjen më të lartë që prej nisjes së saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush me flamuj, pankarta dhe thirrje proteste.
Mesazhet e protestuesve ishin të drejtuara jo vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj klasës politike në tërësi. “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Poshtë kasta politike” ishin disa nga thirrjet që dominuan tubimin.
Ndërsa protesta po fiton mbështetje dhe pjesëmarrje më të madhe nga dita në ditë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar ta konsiderojnë atë si të nxitur nga interesa politike, dezinformimi apo ndikime të jashtme. Në reagimet e fundit, kreu i qeverisë ka ironizuar protestuesit dhe figurat publike që kanë shprehur mbështetje për lëvizjen qytetare.
Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të veçantë, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të sistemit politik në vend.
Një vend të veçantë në protestën e sotme zënë edhe pankartat satirike, të cilat ironizonin figura të njohura politike dhe deklarata të bëra ndër vite nga drejtues të qeverisë. Njëra prej tyre tërhoqi veçanërisht vëmendjen e protestuesve dhe kalimtarëve, duke iu referuar deklaratave të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë periudhës së krizës energjetike.
“Karikuesin e hoqa nga priza, kondicionerin e lashë 24 gradë, bukën shkoj e blej në këmbë, po prapë nuk bleva dot 300 apartamente si Belinda”, shkruhej në pankartë, e cila u fotografua dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Pas nëntë ditësh protestash të pandërprera, sheshi përpara Kryeministrisë vijon të mbushet me qytetarë që kërkojnë ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.a.b





