Një ngjarje e rëndë ka tronditur Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të enjteje, ku efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, ka humbur jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe efektivi tjetër i “Shqiponjave”, Edison Adri, 36 vjeç.
Sipas Policisë së Korçës, ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, rrethuan një stan në malin Boden, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.
Braçellari ishte një person i kërkuar prej vitesh. Ai ishte dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa që në vitin 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivët i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dorëzohej, por ai nuk iu bind urdhrit të policisë dhe hapi zjarr në drejtim të forcave të rendit. Si pasojë e sulmit me armë zjarri, humbi jetën inspektori Enea Mekolli dhe u plagos inspektori Edison Adri.
Për neutralizimin e sulmit, policia iu kundërpërgjigj me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe Violand Braçellari, i cili më pas u arrestua nga forcat e policisë.
Në ndihmë të të plagosurve është nisur edhe helikopteri i shëndetësisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.
Ngjarja ka sjellë humbjen e një efektivi policie në krye të detyrës dhe plagosjen e një tjetri gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale të lidhura me narkotikët.





