Rigjykimi i rekursit të Veliajt në Gjykatën e Lartë, protestuesit kërkojnë që kryebashkiaku të mbetet në qeli
Gjykata e Lartë po shqyrton sot sërish rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër masës së sigurisë “arrest në burg”.
Rigjykimi zhvillohet në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të majit 2026, e cila vlerësoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar përse “arresti në burg” ishte masa e vetme e përshtatshme dhe as proporcionalitetin e kësaj mase me funksionin e Veliajt si kryebashkiak.
Seanca në Gjykatën e Lartë ka nisur në orën 09:30 dhe po zhvillohet në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve.
Ndërkohë, para godinës së Gjykatës së Lartë janë mbledhur protestues që kërkojnë që Veliaj të vijojë të qëndrojë në burg. Ata kanë bërë thirrje: “O gjykatës, bëj drejtësi, lër Veliajn në qeli”.
Një prej protestuesve ka deklaruar se qëndrimi i Veliajt në burg është i nevojshëm për shkak të akuzave ndaj tij dhe se lirimi i tij do të përbënte, sipas tij, një goditje të madhe për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
“Veliaj ka qenë ai modeli i politikanit të cilin ne e kemi kundërshtuar prej fillimi. Ka qenë ai modeli i politikanit i cili duke u zvarritur e duke mos u përballur kurrë as me kundër kandidatët, as me qytetarët, ka arritur aty ku e kemi parë të gjithë.
Ama nëse duam një fakt për Erion Veliajn që duhet të vazhdojë të qëndrojë në qeli, është thjesht të bëjmë një xhiro rreth Tiranës dhe duhet të kuptojmë se i gjithë ky pastrim parash është bërë me bekimin dhe nën hundën e Veliajt.
Edhe kështu që për mua dhe për çdo qytetar, vetëm ndërtimet në Tiranë janë një arsye e mjaftueshme që ai të vazhdojë të qëndrojë në burg. Edhe sigurisht që edhe përgjimet, edhe provat të cilat kanë dalë në raport me Veliajn, janë arsye dhe argumente të mjaftueshme që ai duhet të qëndrojë në burg. Edhe një dalje e Veliajt sot do ishte një goditje e madhe për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, për shkak se do cenonte pavarësinë e tij.”a.b





