Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama mbi situatën në Zvërnec, protestat kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Pishë-Poros dhe incidentet e ndodhura gjatë ditëve të fundit.
Përmes një reagimi publik, Bardhi akuzon kryeministrin se shmangu çështjen kryesore që, sipas tij, kërkon transparencë publike: identitetin e pronarëve përfitues fundorë të projektit që po zhvillohet në Zvërnec.
Sipas deputetit demokrat, pavarësisht fjalimit të gjatë të Ramës, mbeti pa përgjigje pyetja se kush qëndron pas kompanisë së regjistruar në Holandë që lidhet me investimin në zonë.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Zoti Kryeministër,
E dëgjova dy herë fjalimin tënd 70-minutësh. Një mundim i madh, por doja të sigurohesha që nuk më kishte shpëtuar detaji më i rëndësishëm. Për fat të keq, ishin 140 minuta të çuara dëm. Nga fjalimi yt tani e kam të qartë çfarë mendon për Katarin, Gazën, Izraelin, Greqinë, Malin e Zi dhe për këdo tjetër, të fe e të pafe, që të doli përpara në ato 70 minuta.
Madje u njoha edhe me idenë prekëse të tërheqjes në katundin tënd të vogël në Surrel, mes vilës, pronave dhe halleve të jetës së fshatit. Por një gjë krejt e thjeshtë, që mund ta sqaroje në 30 sekonda, mbetet ende mister.
Kush janë pronarët përfitues fundorë të projektit në Zvërnec që fshihen pas kompanisë së regjistruar në parajsë fiskale në Hollandë? Këtë nuk na e the, edhe pse për 70 minuta nuk le gjë pa na treguar:
Kush u interesua për Zvërnecin.
Kush po investon në Zvërnec.
Kush na ka zili. (Perlë.)
Kush po na mashtron. (Akoma më perlë.)
Madje dëgjuam me interes edhe për patriotizmin, vizionin dhe sakrificat e tua në emër të atdheut.
Por jo për pronarët.
Zoti Kryeministër,
Ti e di më mirë se askush tjetër se për një projekt të tillë nuk ka rëndësi vetëm kush interesohet, kush investon, kush e promovon apo kush del në fotografi. Këto dihen prej kohësh.
Për një projekt si Zvërneci rëndësi ka kush përfiton. Kush është pronari. Kush janë pronarët përfitues fundorë.
Shqiptarët duan emrat. Emrat e atyre që fshihen pas kompanive-guackë dhe të cilëve ti u ke firmosur lejen e zhvillimit. Sot na the edhe se do të ndërtojnë ishuj në det. Kjo është një temë më vete, sepse po sot na sigurove gati me ngashërim se në këtë projekt nuk ka asgjë shtetërore. Se gjithçka është pronë private. Që kur deti në Vlorë është bërë pronë private dhe nuk e paskemi marrë vesh? Por mos u mundo sot për këtë. Sot pyetja është edhe më e thjeshtë.
Kush janë pronarët përfitues fundorë?
Nëse nuk përgjigjesh dot, atëherë mos na harxho kohën me hartime patriotike dhe vegime apokaliptike. Sepse kështu mund të mbrosh ndonjë interes tëndin, por jo interesin publik.
Dhe nga gjithçka që the në ato 70 minuta të mundimshme për t’u dëgjuar, vetëm një ide ia vlen të mbahet mend:
Të ikësh në katundin tënd.
Ide e shkëlqyer.
I mbyllur në Surrel do të bëje shumë më pak dëm!”.




