Kryeministri Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Japoni, u prit sot në një ceremoni të veçantë me Gardë Nderi nga Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi.
Në nisje të takimit, Kryeministri Rama falënderoi për mikpritjen e paharrueshme që iu rezervua, ndërsa theksoi se marrëdhënia Shqipëri–Japoni bazohet tek vlerat dhe parimet e përbashkëta për botën në të cilën dy vendet dëshirojnë të jetojnë.
Nga ana e saj, Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit Rama në Japoni, duke theksuar angazhimin e Japonisë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik.
Në nisje të takimit, Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi dhe Kryeministri Rama u shprehën:
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi: “E mirëpres me zemër vizitën e Kryeministrit Rama sot. Jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’ju takoj për herë të parë.
Shqipëria është partnere e rëndësishme, me të cilën ndajmë vlera dhe parime të përbashkëta. Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme.
Japonia, në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga ish-kryeministri, do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, një rajon me histori komplekse.
Gjithashtu, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e Shqipërisë ndaj vizionit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur. Këtë muaj, në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së këtij vizioni, ne prezantuam vizionin e përditësuar për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.
Ky vizion zhvillon më tej qasjen e mëparshme, duke vendosur autonominë dhe qëndrueshmërinë si dy elemente thelbësore, me synimin që i gjithë rajoni të bëhet së bashku më i fortë dhe më i begatë.
Në një kohë kur siguria e Europës, Atlantikut dhe Indo-Paqësorit po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, dëshirojmë ta thellojmë edhe më tej bashkëpunimin me Shqipërinë.
Ju faleminderit.”
Kryeministri Edi Rama: “E nderuar Kryeministre! Së pari, më lejoni që t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj, të cilën nuk do ta harroj. Gjithashtu, kam dëshirë të them që kam pasur mundësinë të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo ceremoni e sotme është vërtet e veçantë.
Nga ana tjetër, dëshiroj të them që kjo është vizita ime e dytë në Japoni në një kohë relativisht të shkurtër dhe, me shumë kënaqësi, ne presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje.
Marrëdhënia Japoni–Shqipëri është një marrëdhënie e bazuar tek vlerat dhe parimet e përbashkëta për botën në të cilën ne dëshirojmë të jetojmë dhe, po, është e vërtetë që e kam parë strategjinë e Indo-Paqësorit dhe e mbështesim atë plotësisht.
Ashtu siç mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie dhe, për këtë arsye, me shumë kërshëri ne presim që të eksplorojmë mundësi të ndryshme se si mund të afrohemi me Japoninë.
Nga ana tjetër, dëshiroj t’ju them edhe paraprakisht që vitin e ardhshëm, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin e NATO-s. Për këtë arsye, kam kënaqësinë e veçantë që t’ju ftoj të merrni pjesë në atë samit.
Në fakt, kur të vini, do të jetë edhe rasti i parë kur një kryeministër apo kryeministre e Japonisë të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe do të ishte kënaqësi që t’ju mikprisnim dhe, në një farë mënyre, të marrim ‘hak’ për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që ju na keni ofruar dhe na ka lënë mbresa.
Pra, edhe njëherë, e nderuar Kryeministre, faleminderit shumë dhe, me shumë dëshirë e kënaqësi, pres bashkëbisedimin tonë.
Gjithashtu, përpara se ta mbyll këtë fjalë të parë, më lejoni që t’ju përgëzoj për fitoren tuaj vërtet fantastike. Është mbresëlënëse që shikojmë një grua në krye të qeverisë, me të gjithë të tjerët që janë burra në kabinetin e saj. Jeni e dyta pas ish-kryeministres së Britanisë, të ndjerës Margaret Thatcher.
Kështu që, faleminderit shumë dhe urime për ju dhe për popullin tuaj!” r.p




