Grupi i ekspertëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i njohur si COELA, ka rënë dakord mbi draftin e ri të raportit IBAR për Shqipërinë, një dokument që sjell ndryshime të forta krahasuar me variantin e mëparshëm të Komisionit Europian. Drafti ashpërson ndjeshëm tonin ndaj zhvillimeve politike dhe institucionale në vend, duke përfshirë kritika direkte për presionin ndaj SPAK, ndërhyrjet në drejtësi, korrupsionin, patronazhistët, problemet me pronat, minoritetet, policinë, ndërtimet pa kriter dhe ekonominë informale.
Sipas dokumentit, një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me reagimin e Bashkimit Europian ndaj votimit të 12 marsit në Kuvend, ku mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Për këtë çështje, drafti përfshin një kapitull të posaçëm, ku BE shpreh “keqardhje” për vendimet e Parlamentit shqiptar dhe komentet e zyrtarëve publikë lidhur me hetimet ndaj ish-zyrtarëve dhe deputetëve.
Në tekst theksohet se Shqipëria duhet të intensifikojë luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe të garantojë që sistemi i drejtësisë, përfshirë SPAK-un, të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa ndërhyrje politike.
Ndryshe nga drafti i muajit shkurt, ku flitej në mënyrë më të përgjithshme për ndikimin politik ndaj drejtësisë, varianti i ri përdor një gjuhë shumë më të ashpër. BE kërkon që Shqipëria të adresojë “përpjekjet në rritje dhe shqetësuese” të zyrtarëve dhe politikanëve, përfshirë nivelet më të larta të qeverisjes, për të ushtruar ndikim mbi institucionet e drejtësisë dhe SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po ashtu, dokumenti nënvizon se ekzekutivi dhe legjislativi duhet të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të zbatojnë pa vonesa vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Drafti përmend gjithashtu nevojën që legjislacioni për heqjen e imunitetit të harmonizohet me standardet europiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me korrupsionin. Në draftin e ri, korrupsioni nuk konsiderohet më vetëm “shqetësim serioz”, por “shqetësim vendimtar”. BE thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në pothuajse të gjitha fushat e jetës publike dhe biznesit, duke përfshirë administratën qendrore dhe vendore. Sipas raportit, Shqipëria duhet të arrijë progres të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në sektorët më të ekspozuar si infrastruktura publike, kadastra, pronat, doganat, tatimet, shëndetësia, arsimi, prokurimet publike dhe kontratat PPP.
Drafti i ri sjell edhe kritika më të forta për proceset zgjedhore. Për herë të parë, Bashkimi Europian përmend drejtpërdrejt rrjetet e patronazhimit, duke kërkuar masa për të kufizuar ndikimin e tyre dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimit institucional gjatë zgjedhjeve.
Sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dokumenti kërkon që ato të zbatohen “në kohë dhe në mënyrë efektive”, duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale.
Një tjetër element i ri është referenca për reformën territoriale dhe shqetësimet për centralizimin e pushtetit. Drafti kërkon ruajtjen e ndarjes së përgjegjësive mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, duke theksuar nevojën për garantimin e autonomisë lokale.
Edhe çështja e sigurisë së gazetarëve trajtohet me tone më të forta. Dokumenti kërkon ngritjen e pikave të posaçme të kontaktit brenda Policisë së Shtetit dhe prokurorisë për trajtimin e rasteve që lidhen me mbrojtjen e gazetarëve.
Drafti i ri përfshin gjithashtu ndryshime të tjera të rëndësishme që prekin çështjet e pronave, minoriteteve dhe funksionimit të institucioneve. COELA pritet të mblidhet sërish të premten dhe, në rast dakordësie përfundimtare mbi tekstin, raporti do t’i kalojë më pas Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm, niveli më i lartë diplomatik i vendeve anëtare të BE-së. m.k




