Kreu i PD, Sali Berisha tha sot në Parlament se kryeministri Edi Rama dënoi reformën në drejtësi kur bllokoi hetimin e Ballukut. “Rama u detyrua t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut, duke hedhur në kosh reformën në drejtësi dhe integrimin”, tha Berisha.
Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, për PD-në është dhe mbetet ylli polar i programit të saj, theksoi kreu i PD por tha ai, këtë proces në interesin vërtet jetik të qytetarëve shqiptarë, e marrim si një proces të bazuar në meritë dhe performancë.
Kurse qeveeia e merr këtë proces të bazuar në mashtrime, në manipulime, në censurë, në fshehje të të vërtetave.
“Ky është dallimi më esencial që ekziston midis nesh dhe jush.
E vërteta, lufta në Ukrainë, siç i thonë asaj fjalës, se jo çdo e keqe vjen për një të keqe, lufta në Ukrainë krijoi në Bruksel dhe kancelaritë evropiane mendimin se Ballkani Perëndimor, duhet me një proces intensiv të integrohet në BE.
Në këtë kontekst, kjo ishte një gjë shumë pozitive.
Dhe kjo jo falë standardeve apo punës së këtyre vendeve, por para së gjithash kriterit gjeopolitik.
PD ka deklaruar në atë kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter përveç kriterit gjeopolitik, por ne mbështesim qoftë dhe vetëm bazuar në këtë kriter, integrimin e Shqipërisë në BE.
Mirëpo, çfarë ndodhi?
Ndodhi që gradualisht ju faktuat të gjitha ato që ne kishim thënë për ju.
Faktuat me vepra konkrete se ju jeni jo për integrimin, por për plaçkitjen, pasurimin e paligjshëm të shqiptarëve.
Dhe, sot shqiptarët duhet ta dinë se ky 5-mujor ka qenë 5-mujori i interesit maksimal, i debateve më intensive në Bruksel për Shqipërinë.
Tre misione faktmbledhëse dërgoi Brukseli në Shqipëri, që të gjitha për shkak të mashtrimeve, bëmave dhe gjëmave tuaj.
Erdhën të vërtetonin në Shqipëri gjëra të pabesueshme që i dëgjonin dhe konkluduan Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, të cilin ju e censuruat gjer sot me mediat tuaja, i cili u thotë shqiptarëve dhe Evropës se zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje në të cilat institucionet e shtetit u shkrinë me strukturat partiake.
Qesharakë, nuk bëni zgjedhje, riktheni kohërat e monizimit, e partisë shtet.
Damkoseni në këtë mënyrë.
Po në Bruksel, ju u damkosët siç jeni, korruptorë.
Edi Rama dhe Lubi Balluku janë bërë famëzinj në Bruksel dhe në çdo kancelari evropiane.
Janë bërë famëzinj, sepse dosja Balluku dhe dosja e AKSHI-t qarkullon në mbarë Evropën.
Janë bërë famëzi, sepse Edi Rama u detyrua, se nuk po përdor shprehje tani, t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut kur ajo i nxori të gjithë dosjet që disponon për Edi Ramën dhe hodhi në kosh të plehrave mantrën që e tundte çdo ditë, reformën në drejtësi.
I mbylli dyert prokurorit, që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë.
Dhe ju që flisni sot për integrimin o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun, o hipokritë?”, tha Berisha. a.b





