Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, përmes një statusi në rrjetet sociale akuzon se seanca e sotme në Komisionin e Jashtëm u përdor si skenë propagande nga qeveria, në vend që të sillte transparencë mbi procesin e integrimit europian.
Sipas tij, qeveria e Edi Ramës po shmang përgjegjësinë reale dhe po e përdor opozitën si alibi për dështimet në procesin e negociatave me BE.
Këlliçi ka vënë në shënjestër edhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka, duke thënë se raportimet e saj nuk japin transparencë, por riprodhojnë narrativën e qeverisë.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për vonesën në hapjen e grupkapitullit të parë për shtetin e së drejtës, duke e lidhur atë me vendimet politike të mazhorancës dhe mbrojtjen e aferave korruptive.
Reagimi i plotë:
Një seancë që ndihmon propagandën, jo integrimin!
Seanca e sotme në Komisionin e Jashtëm shërbeu për të kuptuar të vërtetën e qeverisë lidhur me integrimin, e cila bazohet në dy elemente; propagandë dhe sulm e shpifje ndaj opozitës.
Me propagandën, fshihen faktet dhe nuk bëhet transparencë, mbahet në këmbë gënjeshtra e madhe elektorale me të cilën ushqehen qytetarët më të varfër të Europës.
Dhe si gjithnjë, për të mjegulluar dështimet, duhet gjetur një fajtor e duhet goditur, siç po bën Edi Rama me Opozitën.
Edhe kryenegociatorja Dhuka që ishte sot në këtë seancë “llogaridhënieje”, nuk ka si del nga skema e qeverisë dhe e kryeministrit. Në raportin e dorëzuar dhe në shpjegimet që dha aty, publiku dhe qytetarët nuk mësojnë të vërtetën që duhet të dinë.
Pse po shtyhet pa fund miratimi i grup kapitullit të parë që ka të bëjë me shtetin ligjor?!
Kjo shtyrje vendimi në Bruksel, nisi pikërisht kur me 12 mars Edi Rama me 82 kartona në Kuvend vendosi të mbrojë aferat e tij e të Belind Ballukut para drejtësisë.
Pyetet Edi Rama për këtë.
Pyetet Dhuka për këtë.
Qytetarët duan të dinë, se këto janë faktet, të tjerat janë dokrra.
Përgjigja është e njëjta. Fajin e ka Opozita!!!
Me seancën sot, kryenegociatorja i shtoi më shumë propagandë procesit, dhe nuk solli as transparencë, as mbajtje përgjegjësie, as respektim të interesit publik.
Integrimi po mbahet peng nga Edi Rama. Korrupsioni i tij dhe mbrojtja me imunitet ekstra para drejtësisë, janë akte që BE nuk i pranon.
Dhe për këto ai ka fajin dhe përgjegjësinë, historike madje! a.b





