NJOFTIM PËR SHTYP
Kaso: Kandidatura e kryetari Sali Berisha, plotëson kriteret për garën e 23 majit. Salianji nuk është anëtar i PD
Morën në shqyrtim raportin e Komisionit të Operacioneve Elektorale për shqyrtimin dhe miratimin e kandidaturave për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kryesia u njoh me tre kandidatura dhe aplikime të cilat u konsideruan zyrtare nga komisioni, nga KOKOE-ja, të cilat plotësonin kushtin themelor, atë të paraqitjes nga anëtarë të Partisë Demokratike, siç ishte kandidatura e paraqitur në datën 18 mars nga kryetari i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, si dhe kandidaturat e paraqitura në datën 30 prill, data në të cilën përfundonte afati i paraqitjes së kandidaturave, nga zonja Mereme Msela dhe nga zoti Vladimir Mulaj.
Kandidatura e kryetarit të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishës, plotësonte të gjitha kriteret e përcaktuara në vendimmarrjen e datës 18.03.2026 i KOKOE-s, pra të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që kishin të bënin me atë të qenies në radhë të parë anëtar i Partisë Demokratike, më pas eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar dhe rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike për kauzat qytetare dhe politike, si dhe kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit 138/2015, pra të integritetit të personave që zgjidhen, që emërohen në funksione publike.
Theksoj se të gjitha këto kritere, për që i përkasin garës së datës 23 maj, janë të njëjtat kritere të cilat po ky komision, KOKOE-ja, dhe Partia Demokratike ka aplikuar edhe në garën për kryetar të Partisë Demokratike të vitit 2022, ku zoti Berisha garoi përballë një kandidati tjetër. Pra nuk ka asnjë kriter shtesë në raport me kriteret e katër viteve më përpara.
Komisioni njëzëri vlerësoi se zoti Berisha i plotësonte të treja këto kritere, ndërkohë që dy kandidatët e tjerë, pavarësisht se plotësonin kushtin e të qenit anëtarë të Partisë Demokratike, si zonja Sela dhe zoti Mulaj, nuk plotësonin kriteret e tjera përsa i përket eksperiencës së tyre drejtuese në strukturat qendrore dhe vendore të Partisë Demokratike për një periudhë 10-vjeçare, dhe për këtë arsye u konsideruan të papërshtatshme nga KOKOE-ja dhe u konsideruan gjithashtu të papërshtatshme dhe nga kryesia e Partisë Demokratike për të garuar.
Sikundër, kryesia u njoh me arsyetimin e KOKOE-s përsa i përket disa kërkesave të tjera të paraqitura, të cilat nëpër deklarata të tjera publike nga individë të ndryshëm janë konsideruar si aplikime të vlefshme për garën për kryetar të Partisë Demokratike.
Këto kërkesa, në radhë të parë, KOKOE-ja vlerësoi dhe kryesia e Partisë Demokratike njëzëri miratoi këtë vlerësim të KOKOE-s, se janë paraqitur nga persona të cilët nuk plotësojnë kushtin themelor, atë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, i cili sipas nenit 10 dhe sipas nenit 19 të statutit të Partisë Demokratike, është rekuziti thelbësor për hyrjen në garën për kryetar të Partisë Demokratike.
Përsa i përket kandidaturës së ish-deputetit Salianji, i cili ishte një nga kandidaturat të cilat mediatikisht është promovuar si kandidaturë ose aplikim i vlefshëm në garën për kryetar të Partisë Demokratike, KOKOE-ja vlerësoi se ky kandidat nuk plotëson kushtin thelbësor, atë të qenies anëtar i Partisë Demokratike, pasi me veprimet e tija dhe me aktet e veta politike, është në shkelje të Kodit të Etikës së Partisë Demokratike, nenit 10 të tij, si dhe të nenit 24 të statutit të Partisë Demokratike, përsa i përket lidhjeve të papërshtatshme me eksponentë të krimit të organizuar, çka e bëjnë automatikisht jo anëtar të Partisë Demokratike.
E njëjta gjë vlen, i njëjti arsyetim edhe për kandidatë të tjerë, të cilët ndonëse mund të quhen ose vetëquhen themelues ose rithemelues të Partisë Demokratike, në momentin që njëra prej tyre në vitin, mos gaboj, datën 18 qershor 2024, ka krijuar një formacion të ri politik, konkurrent me Partinë Demokratike në garën elektorale të vitit 2025, automatikisht, sipas nenit 19 të statutit të Partisë Demokratike, kjo pasjellë mosqenien anëtare të Partisë Demokratike.
Në këtë mënyrë, kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e sotme u njoh dhe me këto kërkesa dhe me këto pretendime të disa personave që pretendonin se kishin bërë aplikime të vlefshme, miratoi njëzëri këtë qëndrim të KOKOE-s dhe me unanimitet, të gjithë anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike vendosën që të miratonin vendimin numër 120, datë 1.5.2026 të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike, duke miratuar kandidaturën e zotit Sali Berisha si kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e datës 23.5.2026. Kjo ishte në thelb pika e tretë në të cilën mori kohë dhe interes mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike.
Pyetje: Ditën e djeshme zonja Sela ka dërguar në gjykatë shkresat për të cilat nuk është pranuar këtu nga selia e Partisë Demokratike për të kandiduar. Keni një koment për këtë?
Ivi Kaso: Nuk është pranuar për të kandiduar, ju referojeni vendimmarrjes e cila nuk e ka kualifikuar. Unë besoj që vendimi i KOKOE-s është i qartë dhe i arsyetuar.
Ndalet në rastin e zonjës Sela, e cila siç KOKOE e ka vërejtur dhe ka shqyrtuar, plotëson vetëm një kriter nga ato të përcaktuara në vendimmarrjen e datës 18.03, pra vetëm kriterin e anëtarësisë.
As nga pikëpamja formale dokumentacioni i zonjës Sela nuk ishte i plotë, pasi i mungonte dhe kriteri tjetër thelbësor, pra paraqitja e formularit të dekriminalizimit, të cilin zonja nuk e ka paraqitur pranë Partisë Demokratike, por tutje asaj, për shkak se nuk plotësonte kriterin themelor, atë të një figure me eksperiencë drejtuese 10, të paktën 10 vjeçare në strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokratike, automatikisht ka pasjellë skualifikimin e kësaj zonje.
Sigurisht statuti parashikon edhe mënyrat në të cilat ankohet ndaj kësaj vendimmarrje kushdo i interesuar që është bërë pjesë e garës, dhe sigurisht ankimimi i drejtpërsëdrejti në gjykatë, në qoftë se është kjo që ka ndodhur, nuk është rruga e duhur statutore, pasi statuti parashikon që në këto raste ankimimi i drejtohet së pari gjykatës së partisë dhe mbas ezaurimit të kësaj rruge administrative, eventualisht çështja mund të bëhet objekt shqyrtimi edhe gjyqësor.
Por besoj që në këtë rast jo vetëm statuti, por edhe kriteret e vendosura dhe transparenca që ka bërë KOKOE në vendimmarrjen e saj përsa i përket kësaj zonje, lë pak vend për diskutim.a.b





