Pasi një i ri përplasi me makinë një nënë së bashku me fëmijën e saj 7 muajsh, mbrëmjen e kaluar në Durrës, ka ndodhur një tjetër incident që e ka rënduar situatën.
Sipas policisë së Durrësit, pas aksidentit ka ndodhur edhe një episod dhune me të ëmën e të aksidentuarës, e cila është goditur me shuplakë nga babai i djalit që e përplasi me makinë, njofton policia.
Nën drejtimin e mjetit tip “Benz” fuoristradë ishte Gj. K., banues në Durrës, vetëm 17 vjeç dhe i pa pajisur me patentë. Në makinë me të ndodhej edhe i ati, shtetasi A. K., 54 vjeç, i cili akuzohet se pas aksidentit ka ushtruar dhunë.
“Më datë 07. 08. 2017, rreth orës 20:00, në rrugën ‘Skënderbej’ shtetasi Gj. K., duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’ fuoristradë, pa leje drejtimi ka aksidentuar shtetasen E. B. 31 vjeçe dhe fëmijën e saj A. A. 7-muajsh, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi A. K., pas aksidentit ka goditur me shuplakë shtetasen N. B., 62 vjeçe, nëna e shtetases E. B.”, sqaron policia.
I biri 17-vjeçar u arrestua nën akuzën e dy veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa ndaj të atit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Dëmtime të tjera me dashje”.





