Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni, i cili do të mbledhë formularin e aftësive profesionale për gjyqtarët deri në krijimin e organeve të tjera kushtetuese. KLD ka sqaruar zyrtarisht gjithë procedurën që po ndiqet me administrimin e formularëve dhe ku do të dorëzohen ato pas shkrirjes së KLD-së.
Vetëm 9 gjyqtarë kanë dorëzuar deri tani në Këshillin e Lartë të Drejtësisë formularin e të dhënave profesionale, i cili është një nga tre formularët që do të plotësohet prej tyre për procesin e vettingut, raporton ora neës.
KLD sqaron se ka ngritur gjithë strukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë është në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit pas pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Procedura e mbledhjes së formularëve të gjyqtarëve për vlerësimin e aftësive profesionale do të funksionojë sipas rregullave të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH” dhe të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”. Në KLD është hapur një regjistër manual për regjistrimin e formularëve të vlerësimit profesional të gjyqtarëve. Aktualisht, procedura është pezulluar për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 25.10.2016 për pezullimin e zbatimit të ligjit të vettingut dhe pritet të rifillojë sërish, me hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të njoftuar më 22 dhjetor”.
KLD sqaron se Organi i vlerësimit të aftësive profesionale për gjyqtarët do të fuksionojë brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në momentin kur do të ngrihet institucioni i ri kushtetues, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
Gjithashtu KLD thekson se në bazë të ligjit, pas ngritje së Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, dokumentacioni arkivor do të kalojë pranë këtyre institucioneve siç parashikohet në ligj.
Ka mundësi që KLD të kryejë procesin e administrimit të formularëve pasi një padi tjetër për ligjin që rregullon funksionimin e institucioneve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë ka shkuar në Kushtetuese, raporton droni.al.
Zbatimi i ligjit të vettingut është vija e kuqe nga mund të nise procesi i hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE.




