Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, deklaron se Lëvizja e Dhjetorit mban vetëm autorësinë e studentëve të Tiranës dhe nuk ishte një lëvizje e dirigjuar nga Ramiz Alia.
Në një intervistë për “Panorama”, Mustafaj thekson se ajo ishte absolutisht një lëvizje e studentëve të Tiranës.
“Unë si një nga dëshmitarët e parë, nuk kam asnjë indikacion për të pasur dyshime të tilla. Unë besoj se ky thashethem dhe kjo lloj shpifjeje është përhapur më vonë nga vetë Sigurimi për t’i marrë vetë Sigurimi, Partia e Punës dhe Ramiz Alia meritat. Ajo ka qenë një lëvizje vetëm e studentëve dhe pastaj intelektualët e Tiranës, Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe të tjerë që u bashkuan me lëvizjen shkuan në mbështetje të saj dhe sigurisht me përvojën, kulturën dhe aftësitë e tyre politike i dhanë dimensionet, për të cilat kishte nevojë Shqipëria. Nuk ka asnjë dyshim për mua dhe nuk do të ketë kurrë se Ramiz Alia, apo Sigurimi i Shtetit, apo dikush tjetër e ka iniciuar këtë lëvizje”, thotë ai.
Sipas Mustafajt, “nuk mundej ai sistem të dirigjonte një lëvizje që do ta varroste. Edhe logjika më elementare e rrëzon këtë ide. Unë personalisht dal garant dhe vendos ‘të dyja duart në zjarr’ se nuk ka dorë as Ramiz Alia dhe as Sigurimi i Shtetit në Lëvizjen e 8 dhjetorit”.
Mustafaj mbështet edhe propozimin e Bashës për hapjen e Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Sipas themeluesit të PD-së, ky proces nuk është i vonuar, por duhet të japë rezultate konkrete përpara zhvillimit të zgjedhjeve, pasi në të kundërt nuk do të kishte asnjë vlerë.




