Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka dalë në një konferencë shtyp para gazetarëve, lidhur me përkthimin e “Vetting”-ut nga EURALIUS.
Reagimi i PD-së, ka ardhur një ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, që linte të kuptohej se PD po e vonon ligjin e Vetting-ut nga frika, partia më e madhe e opozitës ka reaguar duke u shprehur e palëvizshme nga qëndrimi i saj për dërgimin e përkthimit të gabuar të ligjit në Komisionin e Venecias.
Deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka paraqitur një seri provash të cilat vërtetojnë sipas tij se teksti i Vetting-ut është deformuar në mënyrë të qëllimshme.
“Që në momentin kur u miratuan amendamentet për Kushtetutën, PD e ka mbështetur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Por kjo nuk bëhet duke manipuluar përkthimin, duke bërë që Komisioni i Venecias të hyjë në drejtim të gabuar. Ka një tentativë që të bëhet e mundur që ligji i Vetting-ut të mos konsiderohet si një ligj që ka probleme të rënda. Kushtetueshmëria nuk arrihet me deformimin e ligjit dhe as me etiketimin e atyre që e kanë konstatuar”, tha Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit në faqen e Venecias shihen dy ligjet e përkthyer dhe të dyja versionet publike janë bërë publike në këtë faqe.
“Komisioni i Venecias publikoi në 16 nëntor dokumentin që iu dërguam, me ligjin e ‘Vettingut’ të përkthyer, ndërsa ne e zbuluam në 25 nëntori gabimet në përkthim.
Gabimet gjenden më së shumti te nenet e diskutuara. Përkthimi i ligjit të ‘Vettingut’ që iu dërgua Komisionit të Venecias është një skandal i vërtetë”, u shpreh Bylykbashi.
Mbetet për tu sqaruar kush e ka dërguar tekstin e përkthyer, tha Bylykbashi.
Disa nga provat e publikuara nga deputeti PD Oerd Bylykbashi
“Gjykata Kushtetuese, më 25 tetor, pati presion nga mazhoranca për ta çuar pa asnjë vonesë ligjin në Komisioni i Venecias. Më 25 tetor u mor vendimi, më 28 tetor është dërguar nga gjykata në Venecia përkthimi i ligjit.
Nga kontaktet zyrtare me Gjykatën Kushtetuese, përkthimi i dërguar është i bërë nga Euralius. Komisioni i Venecias ka publikuar më 16 nëntor tekstin e Kushtetutës dhe ligjit.
Me dokumentet e publikuara online, Komisioni i Venecias ka bërë një transparencë të plotë: ka tekstin e Kushtetutës, ligjin me tekstin e gabuar, si dhe ligjin e përkthyer dhe të dërguar më pas. Ndërkohë, web site të tjera, përfshirë EURALIUS, i kanë hequr përkthimet e mëparshme që ishin në faqet e tyre.
Ekspertët e PD e zbuluan më 25 nëntor këtë deformim duke mbikëqyrur fletët e ligjit në faqen e Komisionit të Venecias. Kjo ju bë prezente Gjykatës Kushtetuese, që mori përsipër të bëjë përkthimin zyrtar me ekspertë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.
Gjykata mori përsipër se ka dërguar ligjin, por jo tekstin e Kushtetutës. As ministria e Drejtësisë nuk e ka dërguar. Mbetet për t’u sqaruar kush e ka dërguar, sepse në faqen e KV thuhet se ai përkthim është dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare. Duhet të kuptohet kush ishte ky autoritet shtetëror që donte të conte diçka të gabuar. Kemi vënë në dijeni KV.
Më 30 nëntor, Gjykata Kushtetuese ka dërguar zyrtarisht, përkthimin zyrtar, që gjendet në faqe dhe është korrekt dhe KV e ka publikuar këtë variant, pa hequr atë të vjetrin. ka edhe një fakt tjetër të rëndë. KV tregon se versioni i parë i ligjit nuk daton as datën 18 tetor e as 16 nëntor që është në ëeb site, por datën 16 tetor.
Pra, varianti është dërguar disa ditë para se ta dërgonte gjykata. Pyetja që shtrohet është: kush kishte interes të çonte KV në drejtim të gabuar?
Sepse ka ndryshim të përmbajtjes substanciale, për ta bërë versionin shqip të duket më pak i rëndë në anglisht. Janë deformime të rënda dhe mangësi të tjera”.





