Atentati që ndodhi më 19 nëntor në qytetin e Fierit mund të ketë lidhje me përplasjen e bandave për trafikun e drogës. Kjo pistë është duke u hetuar nga grupi që po merret me vrasjen e 34- vjeçarit Nelgert Pata.
Ai u ekzekutua me breshëri automatike nga dy persona ende të paidentifikuar, teksa i kishin zënë pritë në rrugë.
Mjeti që drejtohej nga miku i Patës, 38-vjeçari nga Delvina Ari (Ilirjan) Alinani, u qëllua me 30 plumba, ndërsa shënjestra mori plagë të rënda në kokë e trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se janë duke punuar në disa drejtime sa i përket kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi qytetin e Fierit.
Veç pistës së hakmarrjes për vrasjen e Elton Çiçës, nuk përjashtohet as ajo e trafiqeve mes grupeve rivale. Burimet nuk specifikuan nëse kemi të bëjmë me trafikun ndërkombëtar, apo nëse dyshimet kanë lidhje me kultivimin e bimëve narkotike, kryesisht në zonën e tij, Tepelenë.
Ndërkaq, miku i viktimës, Ari (Ilirjan) Alinani, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin atentat, nuk ka bashkëpunuar me policinë, e madje dyshohet se edhe fsheh të vërtetën. Për këtë shkak ai është arrestuar nga policia me akuzën e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Dy ditë më parë, Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij, ndonëse ai gjatë hetimit dhe marrjes në pyetje ka tentuar të mohojë lidhjen dhe njohjen me Nelgert Patën.





