Disa ditë pas një raporti të “Interfoze” italiane, i cili “në vend ti vinte vetullat, i nxori sytë” ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka tentuar PAMECA sot, që mes disa frazave pa kuptim të një raporti të saj, të tentojë të na bëjë “të harrojmë” pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me kanabis (në vetëm 17% të sipërfaqes së monitoruar të territorit), duke fajësuar prokurorinë e gjykatat…
Me raportin e tij, Misioni i Asistencës së Bashkimit Europian për institucionet ligj-zbatuese në Shqipëri del kundër vendimeve të prokurorisë dhe gjykatave shqiptare për disa çështje sensitive, si pajisja italiane e përgjimit, arrestimi i Emiljano Shullazit dhe atë të Elvis Rroshit.
Në rolin e një gjykate, mbi gjykatat shqiptare, në lidhje me hetimet për pajisjen italiane të përgjimit, raporti i PAMECA-s vlerëson se çështja e procedimit dhe kërkesa e ndalimit të gjykatës kundër Drejtorit të Policisë, Haki Çako dhe dy oficerëve të Forcës Operacionale dukeshin të bazuara në mosbesim dhe thjesht dyshime.
Për këtë pjesë, PAMECA “guxon” dhe flet për efikasitetin e pajisjes përgjuese, kur këtë ende nuk e di as Prokuroria e Gjykata shqiptare sepse “Interfoze” italiane nuk pranon ta dorëzojnë. E megjithatë, PAMECA e di, për deri sa në raport thotë se nuk kishte asnjë të dhënë që pajisja IMSI Catcher të ishte në gjendje të kryente përgjime. Për më tepër, sipas PAMECA-s, vendimi i gjykatës mund të ndikonte negativisht hetimet proaktive në proces apo ato në vijim, lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e kryer nga Forca Operacionale, pasi policia do të kishte më pak burime njerëzore duke qenë se drejtuesit e Forces Operacionale prekeshin direkt për shkak të masës së sigurisë arrest në shtëpi të drejtuesit të kësaj force.
Më pas raporti vijon me disa fraza pa kuptim, apo kontradiktore.
Ndërsa ndalet edhe te rasti i Emiljano Shullazit, dukshëm bien në sy fraza kontradiktore. Nga njëra anë, raporti i PAMECA-s njeh, pranon dhe përmend një “vlerësim të shkurtër të hetimit të policisë dhe të prokurorisë”, më poshtë policinë e paraqet si “viktimë” e cila “është ankuar për faktin se ata nuk ishin të përfshirë në hetime”.
Për arrestimin e Emiljano Shullazit, thuhet në raport se, PAMECA IV kreu një vlerësim të shkurtër të hetimit të policisë dhe të prokurorisë lidhur me këtë personazh të famshëm i kriminalitetit.
Vlerësimi i PAMECA tregon se hetimet nuk janë kryer në mënyrë të thelluar për të arritur një rezultat konkret në mënyrën më të shpejtë të mundshme.
Faktet përshkruhen në mënyrë të vakët e të përgjithshme, pa ndonjë referencë kohore dhe vendi të sjelljes së supozuar kriminale, për shembull, të modaliteteve të kërcënimeve të bëra dhe pa ndonjë referencë për burimin e provave të mbledhura (përgjime, deklarime dëshmitarësh, etj.) dhe për personelin e angazhuar në hetim.
Sipas mediave, Policia e Shtetit është ankuar për faktin se ata nuk ishin të përfshirë në hetimet – që mund të jetë për shkak të ndjeshmërisë politike të çështjes (karakteristikat e së cilës nuk janë të qarta për momentin).
Pjesa për Elvis Rroshin, e raportit PAMECA, është më e pa kuptimta fare.
Për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, PAMECA IV vlerëson se vendimi i Gjykatës nuk përfshin ndonjë arsyetim serioz lidhur me ekzistencën e njërës prej kushteve për masë parandaluese të nxjerra nga Gjykata, siç kërkohet nga Neni 228 i Kodit të Procedurës Penale, thuhet në mënyrën më të pakuptimtë, në raportin e PAMECA-s.
Sipas PAMECA IV thekson se në përgjithësi, vërehet një tendencë e sistemit të gjykatave për të miratuar çdo kërkesë të Prokurorisë për zbatimin e masave të sigurisë për çështje sensitive.
Për rastin e vëllezërve Frroku, PAMECA, del nga roli i saj “gjykues” dhe kalon në nivelin e vetëm “konstatimit”, duke u kujdesur të mos fajësoje, me gjasa policinë, pse u arratis Arbeni dhe pse nuk u ekstradua Marku…
Sipas raportit, PAMECA ka vlerësuar edhe çështjen e Arben Frrokut, duke u ndalur te largimi i tij nga Shqipëria.
PAMECA nënvizon se me datë 18 – 19 Qershor 2015, Frroku u largua nga Shqipëria, ndoshta nëpërmjet pikës kufitare të Muriqan me Malin e Zi.
Ai nuk u regjistrua në sistemin TIMS për shkak të një problemi teknik në pikën kufitare të sipërpërmendur dhe nuk kishte asnjë mundësi që Prokuroria të kërkonte masën e sigurisë si “ndalimi i daljes jashtë shteti”.
PAMECA thotë se, sipas burimeve, autoritetet holandeze nuk janë të interesuara ta mbajnë Frrokun në territorin e tyre. /DRONI.al/




