Në ditën e 74-t radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, fjalimet para Kryeministrisë janë përqendruar te emigrimi i të rinjve, mungesa e mundësive dhe problematikat sociale në vend.
Në kuadër edhe të Ditës së të Rinjve, një vajzë e re denoncoi atë që e cilësoi si pamundësi të brezit të saj për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri. Ajo akuzoi qeverinë se politikat e saj po detyrojnë gjithnjë e më shumë të rinj të largohen nga vendi.
“Shqipëria po humbet rininë e saj prej politikave që ka krijuar kjo qeveri. Po humbasim vajzat e djemtë që duhet të ndërtonin këtë vend, studentët, profesionistët, sipërmarrësit dhe ëndrrat e një brezi të tërë. Po studiojmë por pa ditur çfarë do ndodhë me ne! Vetëm patronazhistët e kanë të ardhmen të sigurt në Shqipëri! Ne nuk po arrijmë të mbijetojmë në Shqipëri, jo më të kërkojmë të ardhme këtu! Po e shohim të ardhmen vetëm jashtë sepse nuk po na mundësojnë të ardhme në Shqipëri!”, tha ajo.
E reja ngriti gjithashtu shqetësimin për situatën në qytetet e vogla dhe zonat rurale, duke theksuar mungesën e shërbimeve dhe mundësive për të rinjtë jashtë Tiranës.
“Një problem tjetër që dua të prek është se Shqipëria nuk është vetëm Tirana! Shqipëria është edhe në qytetet e vogla, edhe në fshatrat! Po për ta ka menduar ndonjëherë qeveria? Atje nuk ka shërbime, universitete, shërbimi social nuk funksionon për të rinjtë. Kur kemi një hall, e keni menduar ku do të drejtohemi?!”, deklaroi ajo.
Një tjetër protestues i ri e cilësoi emigrimin e brezit të ri si një nga problemet më të mëdha të vendit.
“Çdo ditë një i ri mbush valixhen dhe ikën. Më e dhimbshmja nuk është avioni që niset nga Rinasi, por nëna që ngelet në shtëpi vetëm, babai që sheh telefonin”, u shpreh ai.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë fshatra dhe komunitete po mbeten pa të rinj, ndërsa kjo situatë po krijon pasoja të forta sociale.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, por një Shqipëri ku nuk duhet të largohesh, por ku do të kesh dinjitet. Rinia kërkon që të ardhmen ta ketë këtu”, deklaroi protestuesi, duke e mbyllur fjalën me thirrjen: “Revolucion!”.
Gjatë protestës pati edhe akuza të tjera ndaj qeverisë. Një protestues kritikoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën e qeverisjes dhe për qëndrimin ndaj zyrtarëve të përfshirë, sipas tij, në çështje të korrupsionit.
“Mbron krimin në Parlament. Mbron Ballukun, nuk e çon në burg, por çon njerëzit në burg për një parkim dysh. Nuk e lejoi Ballukun në burg se shkon edhe Edi me të, është bashkëpunëtor”, deklaroi ai.
Një tjetër protestues, i cili tha se jeton prej 25 vitesh në Angli, u shpreh se kishte ardhur në Shqipëri së bashku me familjen për të marrë pjesë në protestë.
“Kam 25 vjet që jetoj në Angli. Akoma nuk kam bërë pushime. Kam ardhur të protestoj me familjen. Shqipëria ka marrë fund. Njerëzit nuk kanë lekë, ata kanë miliona”, tha ai.
Në përfundim, protestuesi kërkoi që kryeministri të përballet me qytetarët dhe të japë dorëheqjen.
“Atij s’i intereson fare populli, por karrigia e vet. Nuk i intereson populli, sepse përndryshe do të dilte në shesh, të kërkonte falje dhe të jepte dorëheqjen. Ata vota i ka marrë me vjedhje. Nuk ka kontratë me popullin”, u shpreh ai.
Protesta vijon prej 74 ditësh para Kryeministrisë, ndërsa qytetarët kërkojnë ndryshime politike dhe largimin e qeverisë Rama.





