Ministria e Arsimit nuk ka arritur të shpallë sot fituesit e Maturës Shtetërore në raundin e dytë. Sipas ministrisë dalja e listave të fituesve nga fakultetet është shtyrë edhe për tri ditë të tjera duke shtuar edhe më shumë ankthin e mijëra studentëve që presin përgjigjen për të ardhmen e tyre.
Ndryshe nga sa pritej raundi i parë rezultoi i dështuar duke dhënë përgjigje për një numër të kufizuar studentësh.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi pas këtij dështimi se në raundin e dytë do të kënaqeshin pritshmëritë nga nxënësit me mesatare të lartë.
Por fakti se përgjigja është shtyrë sërish do të thotë se metodologjia e përdorur është e dështuar dhe se sërish nuk ka dalje nga kaosi që mund të ndodhë pas publikimit të listave.





