Shumë komente janë bërë këto ditë për ndryshimin e primit të një produkti sigurimesh, që është ai për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, ose sigurimi i makinave siç thuhet rëndom kudo. Krejt e kundërta ndodhi një vit më parë. Shumë pak komente kishte kur u vendos një taksë mbi sigurimet, taksa mbi xhiron (pra primin e shkruar) 10% plus 1.5% që merr AMF po mbi primin e shkruar.
Kjo e aplikuar drejtpërdrejt mbi primin ekzistues dhe e konvertuar mbi primin neto, duke i shtuar tatimin mbi fitimin dhe një sërë taksash të tjera që janë të drejtpërdrejta mbi primin e sigurimit në total të gjitha së bashku shkojnë rreth 20%. Shumë pak komente kishte në atë kohë se çfarë do ndodhë me primin e sigurimit të këtij produkti dhe produkteve të tjera, si do të jetë reagimi i tregut të sigurimeve etj. Natyrisht kjo taksë u vendos pa mbështetjen e tregut dhe është një nga taksat më të rënda në Europë, aq më tepër për një treg të pazhvilluar me një treg që është sa 1 e 4 e Malit të Zi dhe 100 herë më i vogël se tregu europian, apo e thënë ndryshe vetëm 25 Euro për frymë.
Kjo është thënë e stërthënë sa herë, por ndryshimet nuk duken gjëkundi. Shkaqet dihen dhe janë lehtësisht të evidentueshme. Ajo që duhet thënë është se nuk ka një strategji, një plan zhvillimi apo një përgjegjësi për të ndryshuar këtë industri. Kjo industri në fund të fundit është industri e forcimit të karakterit, e çlirimit të individit, e forcimit të personalitetit të individit, familjes, shoqërisë etj., pasi zhvillimi i saj e largon qytetarin nga dyert e bashkisë, ministrisë, shëndetësisë, arsimit, e largon nga shteti dhe e bën të pavarur e dinjitoz.
Industria e sigurimeve ka mbi shtatë muaj që kërkon që kjo taksë të jetë e ndarë nga primi i sigurimit, për të qenë transparent me klientët dhe në mbështetje të ligjit mbi sigurimet dhe njëkohësisht për të pasqyruar saktë dhe në mënyrë transparente të gjitha kalkulimet dhe raportet e domosdoshme dëme-prime etj. Ndryshimi i primit për një produkt sigurimi natyrisht që është problem, pasi kur ai rritet, krijon shqetësim te disa qytetarë, por jo te të gjithë.
Them jo të gjithë, sepse në Shqipëri ka rreth 300 mijë makina personale dhe ky prim në fund të fundit është pjesë e shërbimit që u ofrohet klientëve, për të cilin unë uroj që askush mos ta përfitojë dhe të mos ketë asnjë aksident, por ja që duam apo nuk duam ne aksidentet ndodhin. Sigurimet i duan të gjithë, por nuk duan të paguajnë primin ose më mirë të themi: çmimin duam ta paguajmë si në Shqipëri dhe shërbimin ta kërkojmë si në Gjermani. Ky është dhe thelbi i problemit në të vërtetë dhe e kuptoj shqetësimin e të gjithëve.
Është shumë mirë kur shkruhet, diskutohet, analizohen probleme apo çështje që prekin jetën e përditshme të secilit prej nesh, por është mirë që këto shkrime të bëhen mbi baza të vërtetash, mbi baza analizash e faktesh të argumentuara me shifra të sakta, të konfirmuara të paktën nga një burim informacioni. Pra, kur komentojmë diçka dhe flasim për diçka, do ishte mirë të kuptojmë fillimisht thelbin e asaj që duam të themi, pasi këtu kemi të bëjmë me një përgjegjësi të madhe që rrjedh nga një industri e rëndësishme. Sigurimet nuk kthejnë jetët e humbura, ato dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara, qoftë materiale, qoftë njerëzore.
Transparenca për publikun në këtë rast është e rëndësishme. Prandaj tregu i sigurimeve është treg i mbikëqyrur dhe përpiqet e duhet të jetë transparent me publikun dhe të mbrojë interesat e publikut. Tek e fundit, ky është dhe qëllimi për të cilin është krijuar. Duke iu hedhur një sy disa shkrimeve mbi industrinë e sigurimeve dhe disa komenteve nga disa persona, kam vërejtur se nuk bëjnë as më minimalen e mundshme, që të pyesin të paktën një burim informacioni, dhe jo më dy apo tre, që të kuptojnë thelbin e problemit, të dëgjojnë edhe industrinë e sigurimeve, të kuptojnë se çfarë ka ndodhur, çfarë situate ka tregu dhe ku qëndron thelbi i ndryshimit të çmimit të TPL-së, cilat janë rrethanat dhe çfarë ka ndikuar në rritjen e këtij primi?
Dikush tha që qytetarët nuk marrin mbrapsht nga sigurimet! E thashë dhe më lart, uroj që asnjëri të mos marrë gjë mbrapsht nga sigurimet, pasi kjo është natyra e sigurimeve që merr mbrapsht kur të ndodh një aksident, tërmete, përmbytje apo tjetër ngjarje e dhimbshme. Por fakti është që aksidentet e shumta që po ndodhin çdo ditë, sikur të ishim në një luftë të vërtetë, po u marrin jetën qindra qytetarëve shqiptarë. Në Shqipëri janë rreth 300 mijë makina private që paguajnë taksa makine, taksa për karburantin (naftë apo benzinë) dhe nuk u kthehet asgjë mbrapsht nga këto taksa.
Nga ana tjetër, janë po këta qytetarë që paguajnë një prim sigurimi të detyrueshëm për makinën e tyre (sigurimi TPL) dhe marrin mbrapsht miliona Lekë, të cilat nëse nuk do të ishin të siguruar, duhet t’i paguanin vetë për dëmin që iu shkaktojnë të tjerëve (palëve të treta) si pasojë e aksidenteve. Ka edhe nga ata që thonë që sigurimi i makinës të jetë vullnetar!! E kjo është një ide e veçantë në fakt? Kur bota zhvillonte industrinë e sigurimeve, mijëra vjet më parë, ne nuk ekzistonim si shtet. Ndaj ne jemi me fat që modelin e industrisë së sigurimeve në Shqipëri e kemi me të njëjtat standarde si në Europë e botë për sa i përket cilësisë së shërbimit dhe investimit.
Ajo që mungon, përveç zbatimit të ligjeve e rregullave, është kultura e shqiptarëve, të cilët janë mësuar me idenë se shteti duhet të kujdeset për të gjithë e për gjithçka dhe nuk e kanë pothuajse fare kulturën e të siguruarit të makinës, shtëpisë, shëndetit apo sendeve të tjera me vlerë që disponojnë. Sot janë rreth 15 milionë Euro dëme të shkaktuara nga sigurimet e automjeteve që kanë konsideruar sigurimin TPL vullnetar (pra, kanë shkelur ligjin, nuk kanë pasur siguracion makine kur kanë shkaktuar aksident) dhe tani detyrohen të paguajnë këtë shumë për dëmet e shkaktuara.
Pra, janë rreth 2000 familje që janë debitorë me nga 5000 deri 150000 Euro për mungesë siguracioni. Aktualisht janë debitorë, por në fund ata do t’i paguajnë dëmet që kanë shkaktuar. Nëse këta shkaktarë dëmesh do kishin pasur siguracion, atëherë këto shuma do paguheshin nga shoqëritë e sigurimeve. Dikush kishte shkruar që kompanitë e sigurimeve kanë realizuar miliona Euro fitime përgjatë vitit 2015.
Nëse këto që shkruajnë radhë boshe pa fund do të bënin një analizë dhe hulumtim të thjeshtë në bilancet e tyre, le të shohin të ardhurat nga primet dhe të ardhurat dytësore e investimet dhe të gjejnë ku janë fitimet e tyre, do të kuptonin se kompanitë e sigurimeve përgjatë 2015-s nuk kanë pasur asnjë Lek fitim nga primet e sigurimeve, por vetëm nga investimet e bëra në Bono Thesari, apo nga të ardhurat dytësore. Por të mos harrojmë se 50% e kompanive kanë qenë me humbje e me pamjaftueshmëri REZERVASH TEKNIKE.
Kjo do parë me kujdes nga autoritetet përkatëse. E vërteta është që primet bruto të 12 kompanive përllogariten rreth 100 milionë Euro, ama primet bruto. Të mos harrojmë se kjo industri ka të punësuar rreth 5000 veta dhe të mos harrojmë se mbi 50% janë kompani me kapital të huaj dhe po ashtu të mos harrojmë të themi që për 10 vjet investime ato nuk kanë marrë asnjë divident nga fitimet në Shqipëri. Dhe më tej, përgjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, jo vetëm që nuk ka pasur rritje të tregut të sigurimeve, por ka pasur ulje të tij me 1.3 milionë Euro, ose 3.13%.
Cdokush do të thoshte që AMF në raportin e 6-mujorit 2016 ka publikuar se ka pasur rritje të tregut me 3.29%. Sipas AMF-së po! Por, në këtë raport, harron AMF-ja të llogarisë rritjen e taksës nga 3% që ishte në 2015-n në 10% në 2016-n. Harron AMF-ja të nënvizojë se më shumë se gjysma e produkteve të sigurimit kanë pësuar ulje në krahasim me një vit më parë dhe raporti dëme-prime ka ndryshuar në mënyrë drastike ku ky raport është rritur në krahasim me 2015- n me 9.5%.
Tregu i sigurimeve në Shqipëri është vetëm 100 milionë Euro prime neto, shifër kjo e barazvlefshme me një kompani të vogël në Kroaci. Nga ana tjetër, kompanitë po paguajnë çdo ditë e më shumë dëme dhe natyrisht për këtë janë licensuar. Këtu është dhe duhet të jetë kërkesa ndaj tyre për transparencë në pagesën e dëmeve dhe shërbimeve. Sa dhe si paguhet një dëm, sa dhe si sorollatet klienti, këtë e tregon dhe pozicioni që zë në treg çdo kompani.
AMF ka detyrimin ligjor mbrojtjen e interesave të të dëmtuarve, krijimin e garancive për pagesat e dëmeve dhe pagesat në kohë të dëmit, e jo të zvarriten dy, tre apo 10 vjet. Ndaj këtyre rasteve duhet me qenë kërkues dhe të mbahen nën presion kompanitë. Në thelb, kjo është edhe arsyeja e ekzistencës së kompanive të sigurimit, për të blerë riskun financiar të ndodhive të paparashikuara. Por nga ana tjetër, duhet që kompanitë të kenë një prim risku të mjaftueshëm për të paguar dëmet që ndodhin. Sa më i lartë të jetë primi i riskut, aq më tepër ndikon në përcaktimin e primit të sigurimit.
Sikundër në Shqipëri operojnë kompani serioze sigurimi, me investitorë europianë, të cilat ofrojnë produkte dhe shërbime me standardet europiane dhe i kanë të gjitha kapacitetet për të siguruar dhe dëmshpërblyer edhe ngjarje të mëdha sigurimi siç janë katastrofat natyrore, po ashtu mundet që të ketë edhe kompani që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të dëmshpërblyer klientët. Për këtë arsye ekzistojnë autoritetet përkatëse që duhet të bëjnë punën e tyre! Nëse ndodh që një ngjarje nuk dëmshpërblehet nga X kompani, kjo nuk ndodh për fajin e gjithë tregut dhe nuk mundet të anatemohen të gjitha kompanitë e tjera, siç bëhet rëndom në Shqipëri, nga padija do ta quaja në rastin më të mirë, por druaj se bëhet qëllimisht!
Dhe një herë duhet nënvizuar fakti se janë: shërbimi dhe mënyra e shërbimit, produktet, llojet e produkteve dhe primet për produkt dhe mënyra e trajtimit të dëmeve faktorët që bëjnë ndryshimin e një kompanie nga kompanitë e tjera. Ky është dhe thelbi i konkurrencës. Sot në treg, përveç TPL-së, ka edhe 40 lloje të tjera sigurimesh, të gjitha me prime të diversifikuara me mbulime të ndryshme etj. Pra, ka një konkurrencë admiruese në treg. Dhe kjo konkurrencë në Shqipëri është ndoshta më e ashpër se kudo tjetër. Kompanitë ofrojnë produkte të ndryshme: sigurimi i shëndetit, sigurimi i jetës, pasurisë, mallit etj., me çmime të ndryshme
Në thelb, konkurrenca është te cilësia e shërbimit të ofruar, te përgjigjja e shpejtë ndaj klientëve dhe se sa dëme paguan një kompani. Konkurrenca në sigurimet motorike qëndron te dëmi i paguar, mënyra e përllogaritjes së dëmit, koha e përllogaritjes dhe në fund pagesa. Ndaj dhe tregu është i ndryshëm dhe kompani të ndryshme kanë portofol sigurimi të ndryshëm. Një treg i vogël dhe i pakonsoliduar, me gjithë prezencën aktive të investitorëve strategjikë, ka problemet e tij që i theksuam më lart dhe këto probleme bien mbi klientët. Ndaj pa diskutim që mbrojtja e interesave tyre është themelore. Së dyti, me qindra klientë rropaten nëpër gjykata, sepse pas çdo dëmi të ndodhur nuk drejtohen te kompanitë e sigurimeve, por shkojnë direkt në gjykatë.
Aty përballen me avokatë, të cilët aplikojnë tarifën nga 40% deri në 60% të shumës totale që i dëmtuari do të përfitojë nga dëmshpërblimi i kompanisë së sigurimit dhe faza e dëmshpërblimit të të dëmtuarit zgjat minimalisht me 2-3 herë më shumë nga çfarë është normalisht. Nga ana tjetër, avokatët bëjnë kontrata diskriminuese si për klientët, ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve dhe në shumë raste avokatët kanë biznesin e tyre, ç’kaq rrjedhimisht bën që ata t’i blejnë praktikat e të dëmtuarve që në fillim; Së treti, primi i sigurimit akoma vazhdon i njëjtë për të gjithë klientët, si për ato që nuk shkaktojnë dëme, si për ato që janë shkaktarë të shumë dëmeve.
Për pasojë klientët janë njëlloj. E gjithë kjo për shkak të mosfunksionimit të Sistemit Bonus-Malus. Fenomen ky që duhej të ishte rregulluar vite më parë. Për të gjitha këto fenomene është krijuar AMF, pasi është detyra e kësaj të fundit që të monitorojë tregun e sigurimeve dhe të bëjë të mundur zbatimin e ligjeve apo rregulloreve përkatëse për të gjithë operatorët njëlloj. Dhe jo të merret me gjëra pa vlerë e problematika që nuk i shërbejnë as tregut e as klientëve, problematika të llojit: më solle apo nuk më solle policat fizikisht në AMF.





