Kushëriri i Ergys Agasit, Eno Agasi mbetet në qeli, Gjykata e Tiranës shpallet jokompetente dhe i kalon dosjen GJKKO-së
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Eno Agasit, ndërsa është shpallur jokompetente për shqyrtimin e çështjes dhe ka vendosur t’ia kalojë aktet GJKKO-së.
Vendimi është marrë sot, më 18 shtator 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë “Arrest në burg”, si dhe për caktimin e masës së sigurimit personal dhe shpalljen e moskompetencës.
Eno Agasi, i identifikuar në njoftimin zyrtar të gjykatës me inicialet E.A., është nën hetim për veprat penale “Vjedhja” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 301 të Kodit Penal.
Gjykata ka vendosur vazhdimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar fillimisht me vendimin nr. 3478 të datës 19 dhjetor 2025.
Në të njëjtën kohë, gjykata ka shpallur moskompetencën lëndore dhe ka vendosur t’ia kalojë aktet e procedimit penal Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për çështjen.
Vendimi vjen në një procedim ku, sipas pretendimeve të ngritura në kuadër të hetimit, Eno Agasi dyshohet për përfshirje në një grup kriminal dhe për veprime që lidhen me zhdukjen ose pengimin e zbulimit të provave.
Gjykata ka urdhëruar policinë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e vendimit për vazhdimin e masës së sigurisë.a.b





