Marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës ka vijuar edhe pas përfundimit të fjalimeve në protestën e 111-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë vijuar lëvizjen nëpër kryeqytet, ndërsa gjatë marshimit kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe kundër qeverisë.
“Dorëheqje!”, “Arresto Ballukun”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Edi Rama frikacak, do të çojmë ty në SPAK” janë disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë marshimit.
Një tjetër slogan i përsëritur nga qytetarët ka qenë: “Shikoni, dëgjoni, bulevardi plotë, protestën e shqiptarëve nuk e ndalni dot!”.
Protestuesit shprehen se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është e panegociueshme dhe se qëndresa do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës, një qytetare u bëri thirrje organizatorëve dhe protestuesve që të jenë të bashkuar dhe që vendimet për vijimin e protestës të merren së bashku. Ajo kërkoi gjithashtu që protesta të kalojë në një nivel tjetër dhe që në të të përfshihen qytetarë të të gjitha bindjeve.
“Të dashur qytetarë. Kjo është hera e parë që flas dhe ndoshta e fundit. Është më e rëndësishmja dhe do iu them ca gjëra. Të gjithë organizatorët, protestuesit, dijeni se na duhet bashkim. Nuk e ndihmojmë kauzën me protagonizma. Ne duhet të jemi në sinkron. Secili nga ne është organizator. Vendimet duhet t’i marrim bashkë, kjo është çështje gjeografie.
Nuk më pëlqen të përsëris problem. Ne duhet të kalojmë në një nivel tjetër tani. Të gjithë qytetarët të të gjitha bindjeve, duhet të jenë këtu, duhet të kujtohen që problemet vazhdojnë”.
Marshimi vijon në rrugët e Tiranës, ndërsa protestuesit deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimin ndaj qeverisë.m.k





