Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Sipas këtij Vendimi, “Gjykata vlerëson se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, në kuptim të nenit 70/3 të Kushtetutës”.
Duke ju referuar një sërë kontratash të kompanisë së deputetit Koço Kokëdhima, Gjykata Kushtetuese “gjithashtu, vlerëson se pavarësisht se vihet në lëvizje në bazë të nenit 70/3 të Kushtetutës, kjo dispozitë nuk mund të lexohet e shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji nr. 9367/2005, sipas të cilit: ‘Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme…’ (neni 28). Përveç ndalimeve të sipërcituara, ky ligj ka parashikuar edhe mënyrat bazë të trajtimit dhe të zgjidhjes së konfliktit të interesit”.
Vle
rësimi i Gjykatës Kushtetuese
Për themelin e kërkesës, papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima
20. Gjykata vëren, gjithashtu, se sipas ekstraktit historik të regjistrit tregtar të datës 13.04.2016, shoqëria “Abissnet” sh.a. është themeluar në datën 29.10.1999 dhe është regjistruar si subjekt tregtar me vendimin nr. 22838, datë 01.02.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt të veprimtarisë kryerjen e shërbimeve të internetit, e-mail, webhosting etj. dhe me aksionar të vetëm të saj shtetasin Koço Kokëdhima. Me vendimin nr. 8, datë 12.10.2011 është vendosur zmadhimi i kapitalit të shoqërisë “Abissnet” sh.a. nëpërmjet emetimit të aksioneve të reja dhe janë shlyer nga shoqëria “2K Group” sh.p.k. me ortak të vetëm Koço Kokëdhimën, e cila ka fituar pjesëmarrjen në cilësinë e aksionarit të shoqërisë në përqindjen në kapital 49.74. Me vendimin e datës 31.07.2013 të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë është miratuar kërkesa për dorëheqjen e administratorit Koço Kokëdhima dhe është emëruar si administratore shtetasja B. K. Me kontratën e shitblerjes të datës 25.09.2013, shtetasi Koço Kokëdhima ka blerë aksionet që zotëronte në kapital shoqëria “2K Group” sh.p.k., duke u larguar kjo e fundit nga shoqëria dhe duke u bërë ky shtetas aksionar i vetëm. Me kontratën noteriale të datës 06.02.2014 është bërë kalimi i aksioneve të shtetasit Koço Kokëdhima dhe në datën 07.02.2014 është depozituar vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “2K Group” sh.p.k. për blerjen 100% të aksioneve të shoqërisë “Abissnet” sh.a. Për pasojë, deputeti Koço Kokëdhima ka zotëruar aksione në shoqërinë “Abissnet” sh.a. deri në datën 06.02.2014 kur i ka tjetërsuar ato.
21. Po nga aktet e administruara në gjykim rezulton se për vitin 2013, në të cilin janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe shtetasi Koço Kokëdhima është zgjedhur deputet, shoqëria “Abissnet” sh.a. ka lidhur kontrata shërbimi me disa institucione shtetërore dhe më konkretisht: kontratat e datës 03.01.2013 me Bashkinë e Elbasanit për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, të dyja me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 08.01.2013 me komunën e Petrelës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 18.01.2013 me Shtëpinë e të Moshuarve Fier për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 31.01.2013 me Bashkinë e Durrësit për ofrimin e shërbimit të telefonisë fikse, me afat të pacaktuar; kontrata e datës 23.01.2013 me Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike Fier për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, me afat 1-vjeçar; kontrata e muajit janar 2013 me Avokatin e Popullit për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 01.03.2013 me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 10-mujor; kontrata e datës 01.03.2013 me Doganën e Qafë-Thanës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 10.04.2013 me komunën e Prezës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 02.08.2013 me komunën e Rrashbullit për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar.
22. Gjykata, bazuar në nenin 70/3 të Kushtetutës, vlerëson se shmangia e fitimeve/të ardhurave nga buxheti i shtetit është një detyrim që buron drejtpërdrejt nga kjo dispozitë, e cila ndalon shprehimisht jo vetëm kryerjen e veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose pushtetit vendor, por edhe që “të fitohen pasuri të këtyre”, pavarësisht mënyrës se si fitohen ato. Në vlerësimin e Gjykatës neni 70/3 i Kushtetutës e lidh papajtueshmërinë me funksionin e deputetit me momentin e ushtrimit të veprimtarisë konkrete fitimprurëse apo ardhjes së të ardhurave nga kjo veprimtari, e cila nuk duhet të përkojë me kohën gjatë së cilës deputeti ushtron funksionin e të zgjedhurit si përfaqësues i popullit. Bazuar në aktet e administruara në gjykim, Gjykata vëren se kontratat e lidhura midis palëve për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse kanë qenë kontrata me ekzekutim jo të menjëhershëm, por të vazhdueshëm në kohë, për pasojë edhe detyrimet e palëve nga këto kontrata kanë vijuar edhe pas momentit të fitimit të mandatit të deputetit. Gjykata vlerëson se pavarësisht se këto kontrata janë lidhur përpara momentit të shpalljes së tij fitues dhe se shoqëria “Abissnet” sh.a. nuk ka marrë pjesë në asnjë procedurë prokurimi e nuk ka lidhur asnjë kontratë tjetër me institucionet shtetërore pas datës 02.08.2013, këto fakte në aspektin kushtetues nuk e përjashtojnë këtë deputet apriori nga përgjegjësia, për sa kohë që u pranua dhe u provua në gjykim se pavarësisht momentit se kur kanë lindur apo kanë filluar marrëdhëniet juridike mes palëve, shoqëria tregtare, ku deputeti Koço Kokëdhima ka qenë aksionar i vetëm, ka vijuar të ketë të ardhura që kanë buruar nga pasuria e shtetit edhe gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Sipas akteve të administruara në gjykim rezulton se edhe pse deputeti Koço Kokëdhima është shpallur fitues në datën 02.08.2013, të ardhurat nga kontratat e lidhura nga shoqëria “Abissnet” sh.a. kanë vijuar edhe pas kësaj date, si pasojë e pagesave që janë bërë për llogari të kësaj shoqërie nga institucionet shtetërore dhe më konkretisht në datat: 03.12.2013 (komuna e Petrelës); 31.12.2013 (Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut); 16.01.2014 (Avokati i Popullit); 17.01.2014 (komuna e Petrelës); 22.01.2014 (Shtëpia e të Moshuarve Fier); 22.01.2014 (Dogana e Pogradecit); 24.01.2014 (komuna e Prezës); 27.01.2014 (Bashkia e Elbasanit); 28.01.2014 (komuna e Rrashbullit); 04.02.2014 (Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Fier); 05.02.2014 (Bashkia e Durrësit) etj. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nga data kur është shpallur deputet (02.08.2013) deri në datën e tjetërsimit të aksioneve të tij në shoqërinë “Abissnet” sh.a. (06.02.2014), Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë, së pari, për shkak të zhvillimit të aktivitetit tregtar të shoqërisë ku ai ishte aksionar i vetëm me fonde që burojnë nga buxheti i shtetit dhe, së dyti, për shkak të përfitimit të fondeve nga buxheti i shtetit.
23. Gjykata, gjithashtu, vlerëson se pavarësisht se vihet në lëvizje në bazë të nenit 70/3 të Kushtetutës, kjo dispozitë nuk mund të lexohet e shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji nr. 9367/2005, sipas të cilit: “Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme…” (neni 28). Përveç ndalimeve të sipërcituara, ky ligj ka parashikuar edhe mënyrat bazë të trajtimit dhe të zgjidhjes së konfliktit të interesit. Gjykata thekson se ndonëse nuk i takon asaj të përcaktojë apo të orientojë se cilat janë masat apo veprimet konkrete që duhet të ndërmerren nga deputetët përpara marrjes së detyrës, me qëllim shmangien e situatave të papajtueshmërisë në të ardhmen, ajo e sheh me vend të theksojë se është detyrë e këtyre të fundit, që në përputhje me të gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor në fuqi, të marrin masat e duhura për të plotësuar detyrimet që rrjedhin me rastin e marrjes së mandatit parlamentar. Gjykata vëren se në momentin e shpalljes së tij deputet, Koço Kokëdhima, në cilësinë e aksionarit të shoqërisë “Abissnet” sh.a., megjithëse ka qenë në dijeni për të gjitha kontratat e lidhura nga kjo shoqëri me institucionet shtetërore dhe përfitimet që buronin prej tyre, nuk ka marrë masat e nevojshme për të evituar situatën e papajtueshmërisë përpara marrjes së mandatit të deputetit, por ka vazhduar të përfitojë të ardhura edhe gjatë ushtrimit të mandatit, deri në datën 06.02.2014.
24. Po ashtu, edhe pretendimi i subjektit të interesuar, Koço Kokëdhima, se parashikimet e nenit 70/3 të Kushtetutës i referohen “përfitimit” të deputetit dhe jo përfitimeve të një personi juridik, të ndryshëm nga ai, dhe se ky deputet, si aksionar i shoqërisë, nuk ka përfituar drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte, pasi shoqëria nuk ka ndarë divident në lidhje me fitimet e arkëtuara si rrjedhojë e pagesave të kryera nga institucionet shtetërore, është, gjithashtu, i papranueshëm në aspektin kushtetues. Gjykata vlerëson se neni 70/3 i Kushtetutës dhe jurisprudenca kushtetuese nuk kanë bërë dallim në këtë drejtim midis personit juridik dhe atij fizik dhe midis veprimtarisë së kryer veçmas nga këto subjekte të së drejtës, si dhe nuk e kanë lidhur ndalimin me përfitimin drejtpërdrejt të deputetit nga veprimtaria e kryer. Edhe nëse deputeti nuk ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kontratat e lidhura nga shoqëria ku ai ishte aksionar, pra shumat e përfituara nuk janë derdhur në llogarinë e tij si person fizik, ato kanë sjellë të ardhura në mënyrë indirekte për të, duke rritur kapitalin e shoqërisë, për pasojë edhe vlerën e aksioneve që ai zotëronte, çka do të thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo veprimtaria e shoqërisë ka qenë fitimprurëse edhe për aksionarët e saj. Pavarësisht mënyrës se si ushtrohet një veprimtari e caktuar ekonomike, nga deputeti si person fizik apo në një nga format e tjera të organizimit në një shoqëri tregtare ku ai merr pjesë, në aspektin kushtetues është e rëndësishme që kjo veprimtari fitimprurëse të mos burojë nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitohen pasuri të këtyre, pavarësisht qëllimit për të cilin përdoren apo destinacionit final të këtyre të ardhurave.
25. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, në kuptim të nenit 70/3 të Kushtetutës.






