Drejtues të lartë të opozitës në Shqipëri zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora tek varrezat e dëshmorëve me rastin e 5 majit.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se në këtë ditë shqiptarët kujtojnë dhe respektojnë ata që luftuan për liri dhe pavarësi në shekuj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës dhe trojet e tjera shqiptare.
“Përulemi me nderim të thellë dhe për ata që dhanë jetën për vlera të tjera pa të cilat jeta nuk ka kuptim, si demokracia, lufta kundër tiranisë dhe krimit, kundër terrorizmit. Përulemi dhe për bijat e bijat që dhanë jetën në Forcën e Armatosur dhe Policinë e Shtetit.
E sotmja është ditë reflektimi. PD-ja, para gjakut të dëshmorëve të kombit, ka vendosmërinë për të vazhduar betejën për një betejë të njerëzve të lirë dhe Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit”, deklaroi kryetari i PD-së.
Kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” vendosi edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, drejtues të tjerë të PD-së, si Spaho, Paloka etj.






