Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare prof. dr. Muharrem Dezhgiu, një prej emrave të njohur të historiografisë shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga Instituti i Historisë, i cili ka shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të historianit dhe u ka përcjellë ngushëllimet familjarëve të tij.
Instituti i Historisë vlerëson kontributin e Dezhgiut në fushën e historiografisë shqiptare dhe përkushtimin e tij ndër vite në studimin e historisë kombëtare.
Muharrem Dezhgiu lindi më 1 shtator 1944 në fshatin Guri i Bardhë, në Mat. Gjatë karrierës së tij akademike dhe kërkimore, ai iu përkushtua studimit të historisë së Shqipërisë, duke botuar një sërë veprash dhe studimesh.
Ndër veprat e tij janë “Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944)”, “Shqipëria në luftë (1939-1944) – studime dhe refleksione”, “Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH”, “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, në bashkautorësi, si dhe “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943)” dhe “Shqipëria nën pushtimin gjerman (shtator 1943 – nëntor 1944)”.
Prof. dr. Muharrem Dezhgiu ishte gjithashtu ndër autorët kryesorë të botimit madhor të Institutit të Historisë, “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, si dhe bashkautor i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”.
Me veprimtarinë e tij akademike dhe botimet e shumta, Dezhgiu la një kontribut të rëndësishëm në studimin dhe dokumentimin e historisë shqiptare.m.k





