Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta lidhur me dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, duke pretenduar se largimi i saj nga detyra lidhet me një projekt të qeverisë për krijimin e një agjencie të re në sektorin e shëndetësisë.
Në një reagim publik, Këlliçi pretendon se agjencia e re do të centralizojë procese që lidhen me ilaçet, pajisjet mjekësore dhe operacionet logjistike e strategjike, përfshirë tenderimin, magazinimin dhe shpërndarjen.
Sipas tij, projektligji është ende në fazën e draftit dhe pritet të shqyrtohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Këlliçi e cilëson këtë si krijimin e një “Ministrie Shëndetësie paralele”, duke ngritur dyshime se pas saj mund të ketë interesa private.
Këlliçi e lidh projektin me biznesmenin izraelit Sani Sanilevich, të cilin e cilëson si mik të kryeministrit Edi Rama dhe pretendon se mund të ketë rol në kontrollin e strukturës së re.
“Evis Sala u largua për t’i hapur rrugë dorëzimit të Shëndetësisë tek miku izraelit i Ramës!”, shkruan Këlliçi.
Ai pretendon gjithashtu se Sanilevich ka interesa të tjera biznesi në Shqipëri, duke përmendur sektorin bankar dhe atë të turizmit, dhe akuzon qeverinë se ka mbajtur të fshehta interesat që, sipas tij, lidhen me projektin në shëndetësi.
Një tjetër pretendim i Këlliçit lidhet drejtpërdrejt me dorëheqjen e ministres Sala. Ai thotë se në media janë raportuar pretendime se Sala ka refuzuar të firmosë projektligjin dhe se për këtë arsye ka dhënë dorëheqjen.
Këto pretendime, megjithatë, nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Evis Sala apo nga qeveria.
Këlliçi i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë projektin, duke paralajmëruar për atë që e cilëson si një skemë me pasoja të rënda financiare dhe për shëndetin e qytetarëve.
“SPAK është në kohë për t’u zgjuar, e për të parandaluar një krim të rëndë financiar me jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, përfundon nënkryetari i PD-së.





