“LSI, është një forcë politike, me mision të vetëm korrupsionin, vjedhjen dhe abuzimin”.
Denoncimi ka ardhur nga deputetja e PD, Vjollca Vokshi.
Sipas Vokshit, i arrestuari Pjerin Xuvani, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, është miku i Ilir Metës, kryetar i LSI-së për Elbasanin.
Deputetja e PD-së ka shtuar më tej se “skandali i vjedhjes së miliarda lekëve me receta fiktive ka nxjerrë në pah një mekanizëm kriminal, të mirëstrukturuar kokat e të cilit janë në krye të qeverisë. Falsifikimi i recetave llogaritet të ketë futur në xhepat e mafies së ilaçeve, më shumë se 7 miliardë lekë. Zullumi ishte aq i madh, sa edhe pse raporti i kontrollit u mbajt i fshehur për me shume se një muaj në kryeministri, nga personi kyç i Edi Ramës që mbulon korrupsionin dhe abuzimet, sërish gjurmët ngelën dhe prokuroria arriti të arrestojë një pjesë fare te vogël të zinxhirit”.
Sipas Vokshit, PD vlerëson punën e prokurorisë deri tani në lidhje me këtë skandal, por kjo do të ishte një punë e paplotë, sipas saj, “nëse nuk vihen para përgjegjësisë kumbarët e vërtetë të këtij rrjeti mafioz. Kjo është një tango kriminale që kërkon dy vetë që të luhet. I arrestuari i LSI-së nuk ka kërcyer i vetëm në këtë skenë korruptive. 7 miliardë lekë të vjedhura, të futur në xhepat e qeveritarëve me receta fiktive, ndërkohë që qytetarët, pacientët, të pamundurit e të afërmit e tyre po torturohen nëpër spitale nga mungesa e ilaçeve, dhe nga çmimi i tyre stratosferik. Gishti është drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, i cili bëri të pamundurën për ta mbrojtur këtë skemë të turpshme të vjedhjes me receta false. Ministri i shëndetësisë është sot i akuzuari kryesor për përpjekje për manipulim dhe fshehje te provave”, vijoi Vokshi e cila e akuzoi ministrin i Shëndetësisë Ilir Beqja, sepse sipas saj, përsëri gënjeu kur tha që çmimet e barnave janë ulur.





