FATBARDH KADILLI/ E ardhmja në pikëpyetje serioze, na duhet një parti më...

FATBARDH KADILLI/ E ardhmja në pikëpyetje serioze, na duhet një parti më e madhe se kryetari

160
0
Shares

Historia politike e PD –së ka me një denduri të pangjashme momente të hapjes dhe mbylljes. Retorika e aktivisteve politikë demokratë të çdo niveli ka inflacionin me të lartë të fjalëve që shërbejnë për të penguar apo veshur konceptet politike përjashtim dhe hapje. Këtë të dytën e gjen në çdo fjalim të dikujt që rreket të thotë diçka me mend kur flet për proceset e PD-së. Pse?
Si ka mundësi që një forcë politike që lindi si një lëvizje që ne thelb nënkupton pak rregulla, pak disiplinë, e që pjesëtarët e të cilës pikërisht për këto edhe mburren? Pra, si ndodhi që PD-ja e gjen veten shpesh në nevojën për t’u hapur? Kush e mbyll? Një tipar i parë i pjesëtarëve që nisën lëvizjen që krijoi dhe mbajti të gjallë PDnë ishte dhe mbetet vetëdija e kufizuar politike. Me këtë kuptoj vetëdijen e grupit politik me ide, besime dhe vlera të përbashkëta.
Rëndom, ajo që demokratët e kanë si lëvdatë, që nuk jemi parti e rreshtuar, apo jemi parti elektorale është vetëm një vetëdije e varfër politike. Ndryshe kanë qenë zhvillimet në krahun e majtë të politikës. Vetëdija e grupit me historinë dhe origjinën e përbashkët politike, shpesh këto edhe më përcaktuese se vlerat që marrin përsipër të përfaqësojnë, bënë që e majta të kompaktësohet menjëherë pas traumës së vitit ‘91-‘92 dhe të qëndrojë e tillë edhe përkundër zhvillimeve fragmentuese. Për demokratët ka qenë dhe mbetet ndryshe.
Për demokratët personaliteti i tyre, është thelb përjashtimi, qëndrimi tekanjoz mohues dhe shpesh vetëpërjashtues. Por, kjo, më shumë se aksidenti historik që vjen nga fakti se në PD u grupuan se shumti ata që në ‘90 kishin si aset të formimit të tyre mosbindjen ndaj politikës zyrtare, ata që refuzonin autoritetin e shtetit, të organizimit, apo dhe të urdhrit politik, u modelua nga sjellja e lidershipit politik të PD-së. Pra, më shumë se anëtari i thjeshtë këtu përgjegjësia e frymës dhe e periudhave, “çil e mbyll” nëpër të cilat ka kaluar PDja, u takon atyre që e kanë drejtuar.

Së pari Berisha, për një periudhë të gjatë ka treguar pazotësi të madhe në sigurimin e kushteve të bashkëjetesës brenda llojit dhe të konsolidimit të kulturës politike për ta parë partinë si shtëpia e përbashkët e njerëzve ndoshta me origjina të ndryshme, ndoshta me axhenda të ndryshme, por me objektiva të përbashkëta. Pas gati një dekade ndarjesh dhe përjashtimesh, Berisha u kthye nga hapja dhe pranueshmëria e të ndryshimit.

Por, mënyra si u interpretuan këto procese nga ai, krijuan traditën e marrëdhënieve politike të ndërtuar mbi besnikërinë ndaj liderit dhe jo ndaj familjes së përbashkët politike. Edhe pse krejt në tjetër stil, krejt me tjetër teknikë interpretimi, edhe Basha nuk i shpëtoi kësaj tradite. Ende flet për bashkim kur para syve tanë konsumohet përçarja. Ende flet për hapje të PD-së kur kjo fjalë e ka humbur kuptimin.

Ata që sot janë rreshtuar pro apo kundër Bashës përçojnë, për fat të keq, të njëjtën kulturë që bëri që PD-së si mallkim të mos i ndahen periodat “çil e mbyll”. Sot, PD-ja ka në pikëpyetje serioze të ardhmen. Falë shqiptarëve të mençur, që përsëri na votuan masivisht, PD-ja mbetet sot ende një parti e madhe, ndonëse e tkurrur në kufijtë e një partie të mesme.

Falë shqiptarëve të mençur, PD-ja mbetet sot opozita, por i duhet shumë punë të fitojë edhe një herë besimin e shqiptarëve që është ajo opozita që projekton alternativën e një pushteti ndryshe. Që të behet kjo, duhet në radhë të parë të largohet me neveri çdo përsëritje e kulturës përjashtuese pavarësisht drejtimit nga vjen. Asnjë sjellje përjashtuese dhe as një e tillë vetëpërjashtuese nuk ndihmon.

Nëse socialistët dikur e patën më të lehtë të rigrupohen dhe të kompaktësohen falë edhe perceptimit të frikës nga pushteti i PD-së dhe i Berishës, sot është radha e demokratëve të kuptojnë se duhet të rigrupohen dhe të bashkohen qoftë edhe për vetëdijen e “kërcënimit” që vjen nga pushteti i pakufizuar i socialistëve dhe i Ramës. Pas humbjes rrënuese kam përjetuar si befasi inkurajuese dhe frymëzuese faktin se në dhjetëra biseda më të njohur kam ndjerë shqetësim edhe tek ata individë që i njoh si kundërshtarë tradicionalë të PDsë.

Jam ndodhur shpesh para shqetësimit të tyre se çfarë po ndodh me PD-në. Po të jemi të vetëdijshëm se përfaqësojmë një aset dhe vlerë të shoqërisë duhet të jemi më të ndershëm me veten dhe të tejkalojmë këtë gjendje me një projekt të vërtet bashkimi. Kjo i takon në radhë të parë Bashës si njeriu që po rikonfirmon kryesimin. Bashkimi nuk mund të jetë retorike. Sa me konkrete hapat aq me i shpejtë e i vërtetë bëhet. Bashkimi nuk vjen nga fraza “marr gjithë përgjegjësitë e humbjes”, pa listuar cilat janë disa nga gabimet dhe pa ia dorë- zuar veten demokratëve që ta gjykojnë.

Po kështu, ata që luftojnë dështimin e Bashës, apo që edhe pretendojnë, ndryshe nga unë, se e kishin parashikuar këtë dështim, duhet të kishin shpallur ndërkohë një projekt bashkimi. Asnjë pretendim për mohim të Bashës nuk është veçse një tjetër përjashtim. Asnjë përpjekje për ta nxjerrë nga heshtja Berishën nuk është veçse një ftesë që ai të bëjë të njëjtën gjë që bëri katër vjet më parë dhe të ndikojë zgjedhjen e kryetarit te ri, për të cilën po këta njerëz e quajnë përgjegjës.

Ne, demokratët duhet të punojmë bashkë jo për të rikonfirmuar kryetarin, as për të refuzuar procesin e rikonfirmimit të kryetarit. Ne duhet të largojmë kulturën e përjashtim-hapjes dhe të punojmë për një parti që të jetë më e madhe se kryetari. Për një parti që na mban brenda si streha e familjes sonë të përbashkët, të gjithkujt që beson te vlerat e të djathtës, të gjithkujt që është krenar për historinë e shkurtër por plot ngjarje transformuese për vendin që kanë firmën e PD-së.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY