Avokatët e Tom Doshit: Kërkesa për arrestim prapavijë politike, Durim Bami ndyshoi...

Avokatët e Tom Doshit: Kërkesa për arrestim prapavijë politike, Durim Bami ndyshoi dëshminë nga presionet e pushtetit

117
0
Shares
Tom Doshi

“Në përgjimin ambiental në Prokurori, Bami i tha Doshit ‘E ndryshova dëshminë nga presionet e pushtetit’, më kërcënuan edhe familjen’”.
Kështu ka deklaruar sotnte avoakti i Tom Doshit, Ferid Muccaj, në mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Rregullores në Kuvendin e Shqipërisë, i cili u mblodh, sikurse ishte paralajmëruar, rreth orës 18:00. Objekt i diskutimit ka qenë shqyrtimi i kërkesës  së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores ka nisur me debate ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Opozita ka kërkuar që ajo të bëhet me dyer të hapura për mediat. Përfaqësuesit e opozitës, si Eduard Halimi dhe Arben Ristani, kanë kërkuar që në krye praninë e medias, sëbashku me deputetin Doshi, por kërkesa e tyre nuk është pranuar menjëherë.
Pas kundërshtive, mazhoranca ka lejuar që mbledhja të bëhet me dyer të hapura.
Në nisjen e seancës me dyer të hapura, deputeti Tom Doshi është përplasur me përfaqësuesit e Prokurorisë pasi ata kanë kërkuar që të mos bëhen publike fakte të kërkesës së organit të akuzës që përbëjnë sekret hetimor, duke iu referuar ballafaqimit të Doshit me Durim Bamin. Nga ana e tij, deputeti Doshi tha se nëse Prokuroria nuk do të dalë sekreti hetimor duhet të tërheqë kërkesën që ka depozituar në Kuvend. Ai i akuzoi prokurorët për manipulim të provave.
Avokatët e deputetit Doshi kanë lexuar mbrojtjen e tyre dhe kanë gjykuar në thelb se formulimi i kërkesës për arrestim është tërësisht politik. Madje, Prokuroria ka mbajtur qëndrim të lidhur deri dhe me politikën e jashtme, kur shprehet se kjo ngjarje ka ndikuar në imazhin e instituconeve shqiptare jashtë vendit.

Debatet në fillim të seancës
Vangjel Dule: Pasi kemi njohur kërkesën e Prokurorisë, pasi jemi njohur me kërkesat e zotit Mark Frroku dhe me kërkesën për të qenë bashkë me avokatët në seancë të zotit Doshi dhe pas një debati në Këshill në lidhje me praninë e mediave, për të qenë korrekt më kushtetutën, rregulloren dhe kodin penal, do t’ju lutesha përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme për t’ju referuar edhe njëherë rasteve konkrete siç parashikohen në kodin penal.

Prokurori Adnand Xholi: Nëse do pretendohet që do dalin akte të hetimit të kësaj çështjeje, nuk mund të bëhen publike akte të tilla. Diskutantët ti referohen vetëm kërkesës. Nëse do kemi raste të tilla të ndërpresim seancën.

Tom Doshi: Kam një pyetje për prokurorin. U keni bërë një kërkesë për arrestim tim, ndërkohë që në një marrëveshje me ju, ju keni kërkuar që të mbetem si dëshmitar.. Por sot, unë nuk jam më me cilësinë e dëshmitarit, nuk ka më sekret hetimor të gjitha provat të paraqiten këtu.

Prokurori Adnand Xholi: Për sa i përket provave, dyshimeve të arsyeshme i kemi të përmbledhura në relacionin e paraqitur në Kuvend. Por jo të gjitha provat mund të bëhen publike

Tom Doshi: Çdo provë aty e keni manipuluar, unë nuk kam sajuar asgjë. Kërkesa për përgjim ambiental mes meje dhe Durim Bamit është bërë me kërkesën time.

Prokurori Adnand Xholi: Pikërisht kjo përbën një sekret hetimor. Nuk mund të zbardhim të gjitha sekretet hetimore.

Tom Doshi: Tërhiqni kërkesën që keni bërë, nëse nuk doni që të dalë sekreti hetimor.

Prokurori Adnand Xholi: Nuk kemi asnjë arsye për të tërhequr kërkesën për masën e arrestit.

Tom Doshi: Ai e ka manipuluar marrëveshjen që kemi bërë. Është e rëndësishme që të dinë shqiptarët çfarë është bërë në atë ballafaqim. Ai ka ardhur të më arrestojë, unë mos të flas.

Arben Ristani: Procedura nuk mund të jetë sekrete, materiali po. Procedurat në vetvete nuk janë pjesë e sekretit

Prokurori Adnand Xholi: Në këtë moment nuk po flitet për procedurë por për sekret hetimor.

Tom Doshi: Jo mor nuk jam dakord unë, se me të e kam bërë marrëveshjen. Nuk kam bërë dëshmi të rreme. Meqë ajo kërkesë është me vendim gjykate, e di shumë mirë se çfarë është thënë, tërhiq kërkesën, nëse nuk e tërheq unë do ju tregoj shqiptarëve se çfarë është thënë në atë ballafaqim. Sipas teje është mbyll procesi se më kë dorëzuar kërkesën për arrestim. Tre akuzat e tua unë i kam rrëzuar. Po s’deshe të dalë se çfarë është folur në ballafaqimin me Bamin tërhiq kërkesën, në të kundërt të gjithë do ta mësojnë se çfarë kemi folur ne.

Vangjel Dule: Zoti Doshi jeni njohur me kërkesën e Prokurorisë. Rregullorja në nenin 118 parashikon debate të kësaj natyre, Me kërkesën e prokurorisë do t’iu lutesha të paraqisni vërejtjet tuaja, por pa cënuar atë aspekt që na ndalon ligji.

Tom Doshi: Në këtë rast Prokuroria e Përgjithshme ka cenuar ligjin dhe ka manipuluar ligjin.

Arben Ristani: Prokuroria ka prurë një relacion që shpjegon kërkesën ndaj jush. Edhe ne jemi njohur dhe relacioni ka dalë në media. Megjithatë është momenti që ju të jepni shpjegimet tuaja në raport me kërkesën që ka bërë Prokuroria.

Fatmir Xhafaj: Ne duhet të fillojmë procesin sipas rregullores. Bëmë një diskutime, e bëmë me mediat. Në këtë moment nuk ka më debat midis nesh dhe zotit Doshi. Duhet të flas Zoti Doshi, ose përfaqësuesit ligjorë që duhet të parashtrojnë kërkesat e tyre. Tani duhet të flasin avokatët. Do të ishte normale që të fillojmë me parashtresën e avokatëve.

Eduard Halimi: Për të sqaruar edhe organin e akuzës por edhe qytetarët që janë shumë të interesuar për zhvillimin e mbledhjes së këtij Këshilli, dua të bëj të qartë se ne si deputetë të opozitës jemi shprehur në favor të kërkesave të prokurorisë për këdo në vijim të hetimeve. Për sa i përket thelbit të kërkesës, ne duam ta bëjmë transparente se cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje. Ne duam të dimë se për çfarë akuzohet deputeti, cilat janë rrethanat dhe se cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje. Për çfarë akuzohet deputeti, ne këtë duam ta diskutojmë.

 

Avokatët japin shpjegimet e tyre

Avokati Vladimir Meçi
“Mbrojtja jonë do të shtrihet në dy pjesë, tha avokati Vladimir Meçi, i cili lexoi pjesën e parë të mbrojtjes, mbështetur në të drejtën kushtetuese, duke ia lenë pjesën e dytë, atë të akuzave që ka ngritur Prokuroria, avokatit tjetër, Ferid Muçaj”.
“Siç edhe u deklarua dhe jemi në dijeni, tha Meçi, deputeti Tom Doshi është vënë në dijeni nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për Kërkesën për arrestim të tij dhe për ushtrim kontrolli në banesën e tij. Nuk është e pranueshme që Prokuroria të ndërhyjë dhe të dëmtojë aktivitetin parlamentar, pa një arsye të fortë penale, kurrë për arsye politike. Në rastin që po shqyrtoni kemi cenim të së drejtës kushtetuese. Deputetit Tom Doshi i është dhunuar e drejta kushtetuese.
Nuk është zbatuar parimi i barazisë para ligjit. Nga gjithë sa më sipër, jo vetëm është mohuar parimi i barazisë para ligjit, por Doshit i janë mohuar edhe të drejtat. Të shpresojmë që institucionet do të jenë të motivuar nga arsyeja, të ketë baza të qarta dhe solide për kontrollin e banesës. Arsyet për mbrojtjen e deputetëve janë së pari për funksionin publik të deputetit të zgjedhur nga populli dhe më pas për arsye personale. Ka disa arsye të shëndosha pse nga ky Këshill duhet shqyrtuar me kujdes, kërkesa e Prokurorisë për arrestin e deputetit Tom Doshi.
Së pari, një lejim i tillë në mënyrë automatike, do të cenonte autoritetin e një pushteti të zgjedhur nga populli. Ky do të minonte debatin dhe fjalën e lirë në parlament. Paprekshmëria mbron deputetët nga kërkesat për dënime penale të motivuar politikisht. Kur kërkohet autorizimi për dhënien e arrestimit, duhet pasur parasysh dhe rëndësia e veprës penale. Dhe vepra në fjalë nuk hyn tek të rëndat, si vrasjet, trafiqet etj”, u shpreh avokati Vladimir Meçi.

Avokati Ferid Muçaj
Më pas, fjala iu dha avokatit Ferid Muçaj, për akuzat e ngritura. Ai tha se kërkesa e Prokurorisë dërguar Kuvendit është e pashoqëruar me prova. Avokati Muçaj e ka quajtur të gjithë akuzën, farsë të sajuar me qëllime politike. Avokati i Doshit ka sjellë para Komisionit edhe një detaj të përgjimit ambiental që është bërë në ambientet e Prokurorisë në ballafaqimin e parë mes Doshit dhe Durim Bamit. Muçaj tha se Durim Bami i ka deklaruar deputetit Tom Doshi se ndryshimin e dëshmisë e ka bërë nga presionet e pushtetit.
“Dërgimin në Kuvend nga Prokurori i Përgjithshëm e kërkesës së vetme e pashoqëruar me prova. Shkruhen fakte të pavërteta dhe nuk pasqyrohen të gjitha provat që vërtetojnë pafajësinë e personit ndaj të cilit janë ngritur akuza. Precedenti që mund të krijohet sot, precedent i rrezikshëm. A mundet që Prokuroria të bëjë një gjykim të çojë në gjykatë një çështje pa çuar provat. Vetëm ky krahasim po të bëhet del qartë dallimi i kërkesave të drejta që bëjmë ne në emër të Doshit.
Siç shihet vetëm brenda pak orësh nga regjistrimi i procedimit penal, Prokurori i Përgjithshëm pa e njoftuar fare deputetin ka dërguar kërkesën në Kuvend. Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm fillon me një të pavërtetë të madhe, se deputeti Tom Doshi ka bërë një kallëzim të rremë. Prokuroria për Krime të Rënda thotë se më datën 3.3.2015 mbi bazën e denoncimeve publike që ka bërë Tom Doshi ka nisur procedimin penal për Durim Bamin. Procedimi penal ka filluar kryesisht, nëse deputeti Doshi nuk ka bërë kallëzim dhe aq më pak kallëzim të rremë… Është element thelbësor qëllimi i kallëzimit për atë person që bën kallëzim të rremë, por ne nuk kemi fare kallëzim pasi hetimi ka nisur kryesisht.
Prokuroria thotë se deputeti Tom Doshi dhe Durim Bami kanë bërë kallëzim të rremë, dhe se kanë dhënë dëshmi të ndryshme. Durim Bami i ka treguar ministrit dhe në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Policisë së Tiranës ato që ka dëshmuar dhe në Prokurori. Në muajin tetor pasi Doshi i kishte treguar gjithçka përfaqësuesve të lartë të shtetit, ka regjistruar dëshminë e Bamit në një video.
Deklarimet Durim Bami i ka bërë përpara se të regjistrohej në video. A nuk tregon kjo se e gjithë kjo akuzë është e sajuar. Është i dhimbshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka bërë asgjë për të nisur një procedim penal. Ky qëndrim i Prokurorisë i papranueshëm dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. E gjithë akuza, farsë e sajuar me qëllime politike. Me çfarë provash e vërteton Prokurori i Përgjithshëm se deputeti Doshi ka bërë deklarim të rremë kur nuk ka vërtetuar të kundërtën? Për të njëjtin fakt e kallëzon deputetin Doshi edhe për kallëzim të rremë edhe për deklarata të rreme të dhëna para prokurorisë. Akuza për kanosje, e pavërtetë. Prokuroria nuk e ka thënë se kë kanosur deputeti Doshi. Kur ne kemi kërkuar ka dërguar një relacion ku thuhet se ka kanosur Durim Bamin. Prokuroria në relacionin e saj që ka çuar më pas, arsyeton se në bazë të thënieve të Durim Bamit, ekziston një video ku deputeti Tom Doshi kërcënon me armë Durim Bamin për të thënë dëshminë dhe thotë se kjo video gjendet në banesë, për të cilën kërkon autorizim për kontroll. Pra kërkon autorizim për të gjetur provat. Në asnjë vend nuk ndodh që të kryesh kontroll pa pasur prova. Me kërkesë të deputetit Tom Doshi, Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën dhe ka ndodhur një përgjim ambiental mes Durim Bamit dhe Tom Doshit, i cili është regjistruar me kamera dhe audio. Nga ky përgjim ambiental, Durim Bami ka deklaruar para Tom Doshit, se ndryshimin e dëshmisë e ka bërë nga presionet e pushtetit, pra deklarimet që ka bërë në prokurori janë të pavërteta, jo ato që ka bërë para ministrit të brendshëm”, u shpreh avokati Ferid Muçaj.

Pyetje përgjigjet
Kastriot Islami: Unë kam disa pyetje për z.Doshi ose për avokatët e tij. Këtu konkurojnë dy akuza: njera për vrasje dhe tjera për sajesë për vrasje, që janë kundërshtuese. Njera duhet të përjashtohet. Së dyti, dua të dimë për interferencën që ka prokuroria në gjyqësor. Dhe këtë mbrojtje ju do ta bëni edhe në Gjykatë. Është e sigurt që vendimi që do merret do bëjë që ju ta bëni mbrojtjen në gjyqësor. Ishalla nuk ndodh, por kam bindjen se kështu do ndodhë.
Tani, për çështjen, z.Doshi e ka bërë publike te zyrtarët e lartë dhe nuk ka ndodhur asgjë nuk nuk është bërë publike. Pra, hetimi ka nisur kryesisht kur është bërë publike. A do të fillonte hetimi kryesisht?
Z.Doshi, e keni vënë në dijeni Kryeministrin për këtë ngjarje, sa herë e keni bërë? A ka pasur dijeni për t’ju bindur që të mos e bëni publike ngjarjen dhe ta zgjidhni në mënyra të tjera? A e keni biseduar me ramën opsionin e vrasjes nga Meta dhe Berisha dhe cili ka qënë qëndrimi i Kryeministrit? Këto pyetje janë mbi dyshimin se kjo çështje është e interferuar nga politika.

Tom Doshi: Kam takuar Saimir Tahirin, i ka shpjeguar të njëjtat gjëra siç mi kishte shpjeguar mua. Ngjarja është ë vërtetë. Nuk kam bërë asnjë sajesë. Në gusht 2014 jam informuar nga Mark Frroku. Kam takuar Durim Bamin dhe më 30 gusht kam takuar Kryeministrin që më ka thënë: “Tom, të ka ruajtur Zoti.” Bindja e Edi Ramës ishte e vërtetë…
Mbas takimit në Ministrinë e Brendshme, Durim Bami ka shkuar në Ministrinë e Brendshme pa prezencën time dhe e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Siç thotë Prokuroria, shpjegimet kanë qënë si në video. Pas këtij takimi, Didi ka shkruar me shkrim dore “dëshmi siç ka dhënë Durimi në video.”
Më datën 3 shtator unë kam takuar Prokurorin e Përgjithshëm. Disa herë e kam takuar Ramën deri më 11 nëntor …se presioni i Ilir Metës ishte shumë i madh. Edhe Rama ishte nën presion dhe zgjodhi të mbështesë Metën. Sqaroj se Ilir Meta la parlamentin dhe erdhi u ul në “Il Gusto” për të krijuar opinion se ishte miku im.
Më 3 shtator i kam thënë Prokurorit të Përgjithshëm dhe më tha “Prit 4-5 ditë” dhe ky është inati që ka me mua. Pas 48 orësh i ka shkuar Toni i Kombinatit, Durimit, “se Tom Doshi e ka marrë vesh e duhet vrarë me çdo kusht. Vrite dhe ditën, se s’ka gjë, se kemi Ilir Metën mbrapa.”
Unë në shtator jam takuar me Monikën dhe Ilirin. Për mua ishte e papritur. Unë haja drekë me të dhe në darkë paguheshin njerëz për të më vrarë. Unë i kisha mik të gjithë, pse duhet të bëja sajesë. Miqtë e mi kanë frikë të më marrin në telefon, se kanë frikë se e merr vesh Edi Rama dhe Ilir Meta. Unë nuk ndenja me frikë, por zgjodha rrugën për t’i denoncuar publikisht. Po u mbyll kjo çështje nuk ka më institucione, nuk ka drejtësi.
Durim Bamit i ka shkuar polici i RENEA-s, me maskë i ka kërcënuar familjen, i ka thënë “e dimë ku i ke fëmijët”. I kam thën Durim Bamit a t’i them prokurorëve të të çojnë në spital? Jo, tha, se atje ka ilaçe. Kishte frikë se e vrisnin.
Ky njeri që sajoi pse kishte frikë të ikte në spital. Të burgosurit çfarë nuk sajojnë të ikin në spital, kurse ai ka frikë të shkojë në spital. Jo për një javë që ka kërkuar Edi Rama, por do kalojnë dhe një 10 të enjte dhe s’do të mbyllen. Nuk është marrë asnjë tabulat, nuk është marrë asgjë. ”

Kastriot Islami: Po opsionin e vrasjes nga Berisha e ke diskutuar me Kryeministrin?

Tom Doshi: Në takimin që kam pasur me Edi Pë rtë larguar vëmendjen nga Iliri, kam thënë se mund të jetë dhe krahu tjetër. Më 30 gusht Kryeministri e besoi.
Unë kisha besim tek prokurorët. I mblodha të gjithë, u thashë dua të jeni të katërt. I thashë Durim Bami është kërcënuar me i vra fëmijët. Burrat e huaj janë atje, fiks tek vendi. Këtë shqetësim ma ka shprehur edhe vëllai i Durimit, kur më tha se kanë shkuar makina të ndryshme. Përgjimin ambiental e kam kërkuar unë. Përveç kamerave të dhomës, kam vënë aparatura në trup. Pse Durim Bamin deshëm me e vra në shkurt? Pse Tonin deshën me vra në 1 shtator. Pse polici i RENEA-s i shkon tek dhoma e izolimit? Pse nuk merren kamerat. Kjo është e vërteta të nderuar deputetë dhe përfaqësues të mediave. Prokuroria ka manipuluar provat, e vërteta është kjo që them unë. Nëse duan të kontribuojnë ndonjëherë ndërkombëtarët të sjellin ekspertë të huaj. Të zbardhin se kush është sajuesi, unë apo prokurorët. Pse mos të shkojë Prokurori i Përgjithshëm të japë shpjegime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkoi kryeministri. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare shkon takon një kriminel. Toni i Kombinatit është person i rëndësisshëm, nëse flet ai bie piramida. Kam folur me vëllain e Fufit. I kishte thënë Ilir Meta, këto punë i di më mirë Toma. Ja shpjegova si ishte ngjarja. Erdhi me prefektin e Fierit, Bujar Hasa. Kur ti thuash do të vras fëmijët, kushdo të jetë e mohon. Ju si opozitë nëse doni me e zbardhë, keni videon. Ju duhet ta shihni videon më para dhe pastaj bëni kërkesën, le të më arrestojnë.

Vangjel Dule: Po marrim atributet e një gjykate, nuk bëjmë ne hetime.

Arben Ristani: E vetmja gjë që na kufizon është ligji dhe sipas ligjit ne duhet të japim një mendim mbi një dyshim të arsyeshëm të bazuar mbi prova dhe jo mbi një relacion. Për mua relacioni s’ka pikën e vlerës. Për mua si ai që akuzon dhe ai që akuzohet janë njësoj. Sa vlerë ka parashtrimi që bëri avokati, aq vlerë ka edhe parashtrimi i prokurorit. Duhet të bindem që ka një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova. Tani të vazhdoj me pyetjet. Cila është akuza zyrtare e plotë, publike ndaj Bamit dhe ku është procedura?

Prokurori Adnand Xholi: Për çështje që janë në hetim nuk mund të japim përgjigje konkrete.

Arben Ristani: Kjo është akuzë publike, me çfarë akuze e mbani në burg Durim Bamin dhe a ka mbaruar hetimi?

Prokurori Adnand Xholi: Ju përgjigjëm pyetjes.

Arben Ristani: Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Vangje Dule: Mos ju drejtoni në atë mënyrë.

Arben Ristani: Cila është përgjigjja?

Fatmir Xhafaj: E dëgjova parashtresën nga kolegu Meçaj. Ky nuk mund të jetë komision i natyrës hetimore. Nuk bën hetime. Nuk të çon ky komision në burg. As prokurori, vetëm Gjykata. Askush nuk ka shkuar në burg se e ka kërkuar Prokurori. Nuk është kërkesa e parë që ka ardhur këtu.

Arben Ristani: Sipas ligjit, ky komision i jep mendim parlamentit për ti dhënë një autorizim prokurorisë, në një dyshim të bazuar në prova. A ju ka vënë në dijeni Ministri i Brendshëm se çfarë veprimesh ka bërë për këto akuza?

Tom Doshi: Dy herë është takuar me mua, një herë nuk kam qenë. Pas kësaj ka mbetur çdo gjë e vdekur. E gjithë kjo vjen një erë të keqe shumë.

Arbe Ristani: Kreu i Komisionit të Sigurisë, Braho deklaroi se ju keni qenë nën mbrojtje fizike, madje kërkoi që të vazhdonte mbrojtja ndaj jush.

Tom Doshi: Nuk është e vërtetë.

Arben Ristani: Pra ka gënjyer Braho.

Tom Doshi: Të gjitha janë mashtrime. Edhe deklaratat e kreut të Kuvendit.

Arben Ristani: Të vijmë tek prova bombë. Ju thoni se është filmuar dhe incizuar biseda me Bamin, ku ai shprehet për mundësinë e tij për të thënë të vërtetën sepse ndodhet në kushtet e kërcënimit të familjes.

Tom Doshi: Përgjimi është bërë me kërkesën time, në prani të 4 prokurorëve. Unë kam vënë aparaturën në turp, përgjues. U takova me të, i thashë thuaj të vërtetën. I thashë pse? Durim Bami ka një fëmijë të vogël. Më bëri me dorë për fëmijët. Ka ardhur një polic. Më bëri me dorë se burrat e huaj janë atje, ku nuk e dinte as ai, tek tezja e gruas. Kur u çua në këmbë, i shkuan lot, madje edhe prokurores. “Ti e di në çfarë kushtesh jam, pse nuk mund të flas”, më tha.

Arben Ristani: Cilat janë ambientet për të cilat kërkoni autorizimin se thoni ambientet që frekuenton edhe ambientet publike.

Prokurori Adnand Xholi: Bëhet fjalë për ambientet private.

Fatmir Xhafaj: Dy pyetje për zotin Doshi. Duke ju referuar materialit të sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme. Theksohet se në asnjë rast nuk është pranuar bashkëpunimi me organet e prokurorisë dhe policisë së Shtetit dhe nuk ka pranuar në niset procedurë hetimore. Pse nuk keni bërë kallëzim në Prokurori? Pse e regjistruat në mënyrë private dhe jo në prokurori?

Tom Doshi: E takova Prokurorin e Përgjithshëm, ja thashë. Më tha lëmë 4 -5 ditë kohë. Pas 48 orëve porositësi tha se duhet eliminuar sepse di të vërtetën. Unë ja kisha thënë vetëm Prokurorit të Përgjithshëm. Ai më shiti. Nuk kam besim. Kjo është lufta mes meje dhe Prokurorëve.

Kastriot Islami: Cili është motivi i kësaj që thua ti, i porosisë.

Tom Doshi: Motivi për mua është video Meta-Prifti, ndërsa për Fufin, ngjarjet në ditën e zgjedhjeve në Laç.

Eduard Halimi: Jemi në favor të kërkesave të prokurorisë, por nuk mund të jemi të shurdhër para akuzave se ka ushtrim të ndikimit në hetim.

Vasilika Hysi: Po sillemi si komision hetimor. Po hapim një precedent të gabuar. Në të ardhmen mund të kemi kërkesa të tjera për deputetë të tjerë. Ndaj do kërkoja që ta mbyllim këtë dëgjesë dhe të procedojmë sipas rregullores së Kuvendit.

Arben Ristani: Duhet ti kthehem pak përsëri relacionit dhe kërkesës. Kam vetëm një pyetje. Në kërkesën e Prokurorisë, kërkohet arrestimi për Kallëzim të rremë dhe për deklarim të rremë para prokurorëve. Këto dy vepra konkurrojnë me njëra-tjetrën, duhet të jetë o njëri o tjetri.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY