Riorganizimi i Partisë Socialiste në 61 degë të reja është konceptuar nga partia më e madhe në pushtet edhe si një rifreskim i strukturave drejtuese të saj në bazë, çka pritet që t’i japë efektet e saj në zgjedhjet e 2017-s, ku objektivi i së majtës është shtimi i anëtarësimeve deri në 150 mijë të tillë, çka për PS-në përkthehet në vota që do të sjellin një rezultat pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme. Për të arritur këtë, kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka shpërndarë në bazë edhe udhëzimin të shoqëruar me kriteret që duhet të ndiqen për të sjellë në krye të degëve të partisë në çdo bashki apo dhe organizatë, njerëz që të kenë si prioritet çështjen e partisë dhe jo angazhime të tjera politike. Kështu, duke marrë parasysh rolin që do të luajnë 61 kryetarët e degëve të PS-së, do të ketë disa përjashtime për kandidatët që do të konkurrojnë për këtë post, duke filluar që nga deputetët, drejtorët apo dhe vetë kryetarët e bashkive që kanë fituar në zgjedhjet e qershorit. Kjo, me qëllimin e vetëm përkushtimin maksimal të tyre në çështjet organizative të partisë, por edhe për faktin tjetër sepse 61 drejtuesit e degëve të reja do të marrin statusin e funksionarit në parti, pra që do të kenë një rrogë të caktuar vetëm për këtë punë. Duke iu referuar udhëzimit, i cili do të merret në shqyrtim edhe në grupin e punës që është duke punuar me ndryshimet dhe përmirësimin e statutit të PS-së, kandidaturat të cilat do të konkurrojnë për kryetarë të degëve, duhet të plotësojnë edhe disa kritere të rëndësishme duke filluar që nga integriteti moral, e deri te papajtueshmëria e dy mandateve si dhe pastërtia dhe kontributet e tyre në dy proceset e fundit zgjedhore, ai i 2013-s si dhe zgjedhjet vendore që u mbajtën në qershor të këtij viti.
Udhëzimi, i cili është shpërndarë edhe për kandidatët që do të propozohen për delegatë të kongresit të partisë, përcakton disa kritere kryesore, nga të cilët nuk përjashtohen edhe ata që kanë një funksion shtetëror. Ajo që do të merret parasysh në këto zgjedhje është pikërisht edhe udhëzimi që u diskutua në mbledhjen e Forumit të Gruas Socialiste, ku për delegatët e rinj duhet të ruhet barazia gjinore ku nga 50% duhet të jenë femra, si dhe 50% të jenë meshkuj.
Ndërkohë e majta aktualisht është duke verifikuar edhe anëtarësinë, regjistrimin e saj, si dhe duke nisur me propozime për krerë të organizatave socialiste.
Udhëzimi
Kriteret për kandidatët
1. Arsimi i lartë
2. Të jenë me vendbanim në territorin e bashkisë ku propozohet të zgjidhet
3. Kontribut dhe angazhim politik të spikatur në veprimtarinë politike dhe elektorale të PS-së të paktën në dy zgjedhjet e fundit (2013 e 2015)
4. Përvojë në organizimin dhe funksionimin e strukturave vendore të partisë
5. Përgjegjshmëri politike dhe respekt ndaj interesave të anëtarësisë dhe komunitetit, reputacion në anëtarësi, strukturat e partisë dhe në komunitet
6. Aftësi drejtuese, vlerësimi të punës në ekip si dhe aftësi të mira komunikimi në publik.
7. Angazhim për të njohur, për të ndjekur dhe për të zgjidhur problemet politike, organizative dhe elektorale në bashkinë përkatëse.
8. Kryetarët aktualë të partisë së rretheve dhe njësive vendore, në përputhje me kërkesat e nenit 17 dhe 19 të Statutit nuk do të jenë kandidatë në të gjitha rastet kur rezultati i zgjedhjeve të 21.06.2015 është humbës ose më i ulët se zgjedhjet paraardhëse.
9. Në procesin e propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë të bashkive të mbahen parasysh kërkesat e nenit 42 të statutit të PS për papajtueshmërinë e dy mandateve dhe konfliktin e interesit, si dhe pastërtia e figurës etike dhe ligjore të kandidatit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/