Deputetët socialistë kanë kritikuar nivelin e ulët të administratës si dhe kanë kërkuar llogari për mënyrat se si punohen njerëzit në administratë gjatë takimit të djeshëm të grupit ku kryeministri Rama nuk ka qënë i pranishëm.
Një pjesë e tyre, si Bashkim Fino kane kërkuar që të largohen edhe ata që kanë mbetur nga administrata e qeverisjes së PD-së. Nuk kanë munguar edhe kritikat ndaj aksionit informalitet që po ndjek qeveria dhe masave strënguese ndaj biznesit të vogël.
Gazeta Panorama ka zbardhur një pjesë të këtij debati:
Erjon Braçe: Në projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal janë reflektuar disa shqetësime që na erdhën si nga deputetët e grupit tonë parlamentar, ashtu edhe nga grupet e interesit, sa u takon ndëshkimeve penale të biznesit në rast parregullsish apo shkeljesh të ligjit. Përcaktimi se kur një biznes do të konsiderohet i madh e i vogël dhe gjoba maksimale ndaj tyre është pritur mirë.
Arta Dade: Duket se ka një problem me administratën. Ne miratojmë reforma dhe ligje, në fund është administrata që i zbaton ato. Une di që ka zvarritje të mëdha me konkurset e rekrutimit për në administratën publike. Çfarë konkursesh janë këto që nuk kanë fitues? Si është puna me konkurset e Departamentit të Administratës Publike? Une di që edhe kur i fitojnë konkurset, duan mbi 9 muaj njerëzit që të fillojnë punën për pozicionin që kanë konkurruar.
Shkëlqim Cani: Në Ministrinë e Financave, ku përfshij drejtorinë e Tatimeve dhe atë të Doganave, 30% e administratës është vakante dhe nuk po bëhen zëvendësimet. Punonjësit janë të superngarkuar, sepse po përballojnë edhe ngarkesën e vendeve bosh në këtë administratë.
Milena Harito: Punësimet në administratën publike janë bërë mbi bazën e meritokracisë, e cila është përcaktuar nga konkurset transparente që kemi zhvilluar. Këtë praktikë ligjore e kemi ndjekur në të gjitha rastet dhe nuk kemi aplikuar punësime nga njohjet e deputetëve.
Pjerin Ndreu: Ne si mazhorancë dhe si grup parlamentar diskutojmë, debatojmë mbi reformat, por në fund është administrata që i zbaton dhe nga mënyra se si ato zbatohen në terren te qytetari dhe bisnesi varet shumë dhe suksesi i reformës. Unë di shumë mirë se administrata e OSHEE, e cila pjesën më të madhe ajo që ka qenë, edhe e PD-së, aksionet i bën në mënyrë të diferencuar. Kam konstatuar raste kur aksioni ka prekur vetëm familje socialistësh, ndërsa demokratët kanë qenë të lajmëruar për kontrollin dhe i kanë shpëtuar. Ka efekt një reformë e tillë? Nuk mund të vazhdohet më me këtë administratë.
Bashkim Fino: Kjo nuk është administrata që na duhet dhe na shërben për këto reforma. Por unë duhet të them që në fillim se këtu në këtë mbledhje duhet të kishin ardhur drejtorët dhe jo ministrat, kam frikë se drejtorët nuk ju pyesin fare sa u takon punësimeve. Janë ata që bëjnë ligjin atje me punësimet, ndërsa ne zbatojmë konkurset, rregullat dhe tregojmë ligjin e DAP-it. LSI-ja punëson njerëzit e saj, ne merremi me DAP dhe procedurat. Kjo pa diskutim po krijon dhe do të krijojë kosto. Kjo administratë është përgjegjëse që edhe pse ne kemi dy vjet që qeverisim, i pamë numrin e madh të bizneseve që ulën qepenat se kishin punuar edhe gjatë gjithë kësaj periudhe pa dokumente, ishin të paregjistruar. Kanë përgjegjësi këta tatimorë dhe pse i kanë toleruar?
Milena Harito: Jua thashë edhe më lart, që për pozicionet që kanë statusin e nëpunësit civil, e vetmja procedurë që kemi ndjekur janë vetëm konkurset dhe asnjë anashkalim i DAP.
Paulin Stërkaj: Unë i shoh shumë të rënda gjobat dhe ndjekjet penale për biznesin. Nuk e di se në cilin vend të botës janë parë masa të tilla për biznesin , ndaj informalitetit? Në Itali informaliteti është shumë i lartë dhe gjobat që i vihen biznesit për raste të tilla nuk i kalojnë disa qindra Euro e jo më shumë, ndërsa këtu kërkohet burg për biznesin. Kështu nuk i japim frymë ekonomisë sonë.
Erion Braçe: Është marrë modeli gjerman për ndjekjet penale dhe atje ka qenë shumë rezultativ.
Paulin Stërkaj: Po administrata që do të zbatojë këto sanskione do të jetë gjermane apo shqiptare?
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/