Bashkimi Evropian dhe Turqia arritën një marrëveshje mbi transferimin e dhjetëra mijëra emigrantëve nga BE-ja në Turqi.
Në marrëveshjen, e cila është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, BE-ja i premton Turqisë udhëtimin pa viza në zonën Shengen për qytetarët e saj dhe një rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.
Të dyja palët bien dakord se është e nevojshme të ndalet veprimtaria e kontrabandistëve ndërkombëtarë, të cilët u marrin emigrantëve shuma të mëdha për kalimin e tyre, shpesh në kushte të pasigurta, në Turqi, Greqi apo Itali.
Marrëveshja parasheh që të gjithë emigrantët e rinj që shkojnë nga Turqia në Greqi do të kthehen në Turqi në atë që marrëveshja e quan një “masë të përkohshme dhe të jashtëzakonshme” për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe për të rivendosur rendin.
Zyrtarët turq pritet të jenë të pranishëm në Greqi për të lehtësuar transferimin e këtyre emigrantëve përsëri në Turqi.
Për çdo sirian të kthyer në Turqi nga Greqia, një tjetër sirian që ka kërkuar ligjërisht azil në Turqi do të zhvendoset në Bashkimin Evropian. Përparësi u jepet emigrantëve që nuk kanë hyrë ose janë përpjekur të hyjnë në BE ilegalisht më parë.
Turqia do të marrë gjithashtu masa për të parandaluar ndonjë rrugë të re të paligjshme nga Turqia në BE, duke përdorur ndihmë nga shtetet fqinje dhe nga BE-ja.voa
Bashkimi Evropian do të shpejtojë livrimin e 3.4 milion dollarëve ndihmë ndaj Turqisë për të ndihmuar në strehimin e emigrantëve brenda kufijve të saj. BE-ja thotë se do të japë më shumë fonde nëse është e nevojshme, deri në një tavan prej 3,4 miliardë dollarësh shtesë, pasi fondet ekzistuese të jenë përdorur.
Sipas projekt-marrëveshjes, BE-ja do të punojë me Turqinë në çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet humanitare brenda Sirisë, veçanërisht në zonat pranë kufirit turk.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se dëbimi masiv i refugjatëve është kundër të drejtës ndërkombëtare. Presidentja lituaneze Dalia Grybauskaite, e cila e dha e fundit miratimin, tha se marrëveshja “është në kufijtë e së drejtës ndërkombëtare.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/