Gjurmët e “Panama Papers” në drejtim të Kremlinit hidhen poshtë në Rusi si propagandë. Kryetarja e komisionit të sigurisë në Duma (parlamenti rus), Irina Jarocvja, tha – sipas të dhënavetë agjencisë së lajmeve Tass, se ka një numër të madh sulmesh informative kundër presidentit rus Vladimir Putin. “Ky është një ndër inxhenksionet me helm me shpresën, se doza dikur do të bëjë efekt.”
Miku më i mirë i Putinit me sa duket i involvuar
Sipas të dhënave të “Süddeutschen Zeitung” të besuar të Putinit gjatë viteve të kaluara në rrethana konspirative me sa duket kanë nxjerrë shumë para nga Rusia përmes firmave që ekzistojnë vetëm si adresa postare.
Ndër figurat kyç në këtë rast bën pjesë edhe Sergej Roldugin. Ai është një violonçelist i njohur dhe sipas gazetës “Süddeutsche Zeitung” në vitin 1985 ka qenë nun i vajzës më të madhe të Putinit. Ai konsiderohet si një ndër shokët më të mirë të presidentit rus dhe është në qendër të një rrjeti të përbërë nga firma që ekzsitojnë vetëm me adresë postare Vet emri i Putinit nuk shfaqet në firmat me adresë postare, sipas Süddeutsche Zeitung. Shefi i Kemlinit nuk është shprehur lidhur me këto lajme.
Shoqatë ndërkomëtare investigimi
Siç njofton gazeta që botohet në Mynih “Süddeutsche Zeitung”, nga një burim anonim asaj i janë vënë në dispozicion 11,5 milionë dokumenta mbi 214.000 firma fiktive, që janë themeluar prej kancelarisë Mossack Fonseca në Panama. Në vlerësimin e rrjetit të të dhënave të quajtur “Panama Papers” kanë marrë pjesë 400 gazetarë nga 80 vende. Ata i kanë publikuar rezultatet e investigimit të tyre ndërkohë në 20 gjuhë. Në fakt themelimi i firmave vetëm me adresë postare është legal, por shpesh ato përdoren për t’ia fshehur pasurinë zyrës së tatimeve ose për “larje” parashë.
Sipas të dhënave të Süddeutsche Zeitung dokumentat provojnë, se si kancelaria Mossack Fonseca “ditë për ditë rrezikon duke thyer sanksionet dhe duke ndihmuar për evazion fiskal”. Të dhënat tregojnë, se “si një industri globale e drejtuar nga bankat e mëdha, kancelaritë e avokaturës dhe administruesit e pasurive, administron në heshtje pasuritë e politikanëve, të funksionarëve të FIFA-s, mashtruesve dhe kontrabandistëve të drogës, personaliteteve dhe yjeve të sportit”.
S’ka hetime kundër Poroschenko-s
Si posedues i një firme me adresë postare përmendet në dokumenta edhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroschenko. Zyra ukrainase e antikorrupsionit lidhur me këtë njoftoi, se për arsye ligjore nuk mund të hetohet kundër presidentit në detyrë. Poroschenko në gusht 2014 në kulmin e luftës në Lindje të Ukrainës me themelimin e një firme offshore e ka zhvendosur koncernin e tij të ëmbëlsirave juridikisht në ishujt e Britanisë së Madhe Jungfern. Qëllimi duhet të ketë qenë shmangia e shlyerjes së tatimeve në rast të një shitjeje të mundshme të koncernit.
Në Islandë opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Sigmundur David Gunnlaugsson. Politikani konservator me gruan e tij më 2007 me ndërmjetësimin e Mossack Fonseca ka themeluar një firmë në ishujt Jungfern, për të fshehur atje prej fiskut miliona dollarë. Zëdhënsi i Gunnlaugsson-it ka vënë në dukje, se do të mbajë të hënën (04.04) një konferencë shtypi për këtë çështje.
Fëmijët e Sharif-it posedojnë imoblje
Familja e kryeministrit të Pakistanit Navaz Sharif mban qendrim ofensiv ndaj këtyre zbulimeve. “këto banesa na përkasin neve dhe firmat offshore gjithashtu na përkasin neve”, tha djali i tij Husain në televizionin Geo. “Nuk ka asgjë të keqe në këtë mes dhe unë as nuk kam fshehur gjë dhe as nuk kam ndërmend ta bëj këtë.” Fëmijët e Sharif-it Husain, Hasan dhe Maryam sipas “Panama Papers” kanë një firmë imobljesh me adresë postare në Londër.
Edhe të afërm të anëtarëve të nivelit më të lartë të Partisë Komuniste të Kinës, sipas “Panama Papers” kanë fshehur pasuritë e tyre përmes firmave fiktive në të ashtuquajturat oaze taksash. Në bazë të dokumentave të zbuluara ka lidhje të paktën me nëntë anëtarë aktivë dhe ish-anëtarë të komisionit të përhershëm të Byrosë Politike, forumi ky më i rëndësishëm i Partisë Komuniste – ndër ta edhe presidenti i Kinës Xi Jinping.
Sipas mediave britanike në dokumenta përmendet edhe babai i vdekur i kryeministrit britanik David Cameron. Gjithashtu në dokumenta shfaqen edhe anëtarët e partisë së Cameron-it si dhe përkrahës financiarë të konservatorëve. Zyra e Cameron-it ka refuzuar të pozicionohet.
Edhe emri i presidentit të bllokuar të UEFA-s Michel Platini dhe i anëtarit të Komisionit të Etikës së FIFA-s, Juan Pedro Damiani, përmenden në kontekstin e kësaj liste. Akuza të reja nga zbulimi i të dhënave sipas “Süddeutscher Zeitung” ka edhe kundër futbollistit argjentinas Lionel Messi.
Kancelaria panameze Mossack Fonseca pranoi, që pjesërisht dokumentat e bëra publike i përkasin asaj. “Ne na kanë ndërhyrë në sistem (hack). Ky është një krim”, tha avokati i kancelarisë Ramón Fonseca Mora. Ai e drejton kancelarinë bashkë me avokatin me origjinë gjermane Jürgen Mossack. Njëkohësisht Fonseca deklaroi, se sipërmarrja e tij nuk ndihmon në larjen e parashë apo në evazionin fiskal. Kancelaria në fakt themelon firma dhe ua shet ato bankave, administruesve të pasurisë apo avokatëve. Me konsumatorët nuk ekziston asnjë marrëdhënie biznesi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/