Protesta kombëtare e ditës së 35-të para Kryeministrisë është shoqëruar me një tjetër akt simbolik nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim.
Pas tortës prej betoni dhe arkivolit simbolik të shfaqur në protestat e mëparshme, këtë herë në bulevard u vendos një bust që, sipas protestuesve, përfaqësonte kryeministrin Edi Rama. Mbi bust ishte vendosur mbishkrimi “Busti i fundit i diktaturës”.
Në vijim të protestës, busti u rrëzua mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të mijëra qytetarëve të pranishëm.
Sipas organizatorëve, ky veprim përbënte një referencë simbolike ndaj rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, duke e cilësuar si një shenjë të përfundimit të asaj që ata e konsiderojnë një epokë politike.
Gjatë tubimit, i cilësuar nga organizatorët si protesta më e madhe që nga nisja e lëvizjes qytetare, pjesëmarrësit brohoritën thirrje si “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Dorëheqje” dhe “Lironi çunat”, në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë.m.k





