Politologu Ermal Hasimja ka deklaruar sot se pas kërkimesh të thella e të gjata e ka gjetur se kush është pas protestave masive në Shqipëri.
Në reagimin e tij, ai shkruan se pas “një muaji hulumtimi” ka arritur në përfundimin se organizatorja e vërtetë e protestave është qeveria, duke e shoqëruar këtë me kritika për mënyrën e qeverisjes gjatë 13 viteve të fundit.
Sipas tij, pakënaqësia e qytetarëve është krijuar nga trajtimi që u është bërë ndër vite, duke përmendur taksat, gjobat, përfaqësimin politik dhe komunikimin e qeverisë me qytetarët.
Postimi mbyllet me nota satirike, ku autori shprehet se “Irani, Rusia, Greqia, Turqia dhe alienët kanë mbetur me gojë hapur nga organizimi i qeverisë sonë dhe kanë marrë shënime për herë tjetër”, duke ironizuar pretendimet se pas protestave mund të qëndrojnë aktorë të huaj.a.b
POSTIMI/ Pas një muaji hulumtimi arrita të gjej më në fund kush qëndron prapa protestës. Nuk të shkon mendja kurrë, por ja që e zbulova.
Qëndron qeveria.
Asnjë shërbim sekret i huaj nuk ka takat të çojë 50-60.000 shqiptarë nga kafja dhe plazhi. Vetëm qeveria mund ta bëjë. Si? Duke i trajtuar shqiptarët si lecka 13 vite rresht, duke u plaçkitur taksat, duke u marrë shpirtin me gjoba, duke u tallur me ta, duke u vënë deputetë si kali i Kaligulës dhe në fund duke i sharë që nuk janë mirënjohës.
Irani, Rusia, Greqia, Turqia dhe alienët kanë mbetur me gojë hapur nga organizimi i qeverisë sonë dhe kanë marrë shënime për herë tjetër.





