Aktori turk Burak Özçivit, i njohur nga publiku shqiptar për rolin e “Osmanit”, transmetuar prej kohësh në Tv Klan, duket se do të ketë një lidhje edhe më të ngushtë me Shqipërinë, kësaj here përmes një projekti investimi të kompanisë me të cilën bashkëpunon.
Në mbledhjen e datës 30 qershor, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për vënien në dispozicion të 88.5 hektarëve tokë shtetërore në Vlorë për kompaninë RAMS Albania, e cila do të zhvillojë projektin e investimit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.
Sipas vendimit të qeverisë, sipërfaqja do të përdoret për realizimin e zonës së lirë ekonomike, ndërsa për zbatimin e tij janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Kompania rezulton në pronësi të Mehmet Faruk Burbul, themelues i RAMS Global, me seli në Almaty të Kazakistanit.
Lidhja e Burak Özçivit me këtë projekt vjen përmes partneritetit të tij me RAMS Global. Që prej marsit 2025, aktori turk është prezantuar zyrtarisht nga kompania si imazh dhe partner i saj në disa projekte ndërkombëtare, përfshirë “Pavilion by RAMS” në Irakun e Veriut dhe “RAMS Beyond Almaty” në Kazakistan.
Në verën e vitit 2025, Burak Özçivit vizitoi edhe Shqipërinë, ku kaloi disa ditë në Vlorë dhe u prit nga kryebashkiaku i atëhershëm, Ermal Dredha. Në atë kohë, Dredha deklaroi se vizita kishte në fokus edhe promovimin e Vlorës si destinacion turistik.
Vizita e aktorit në Shqipëri ngjalli interes të madh, ndërsa mbetet e paqartë nëse qëndrimi i tij në Vlorë kishte vetëm karakter turistik apo lidhej edhe me angazhimet e tij si partner i RAMS Global. a.b





