Ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar një ditë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku ky i fundit ironizoi idenë e një “Shqipërie të Re”, të artikuluar nga disa zëra brenda PS-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka ritheksuar vizionin e saj për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke argumentuar se vendi ka nevojë për më shumë hapje, drejtësi, meritokraci dhe standarde evropiane.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë. Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane”, shkruan ajo.
Spiropali ndalet edhe te nevoja për reformimin e Partisë Socialiste, duke theksuar se forca qeverisëse duhet të gjejë energjitë për t’u vetëpastruar dhe për t’u përshtatur me sfidat e kohës.
“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, shprehet ajo.
Në mbyllje të reagimit, Spiropali nënvizon se transformimi i Shqipërisë lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e klasës politike për të ndryshuar veten.
“Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”, përfundon ajo.
Deklaratat e Spiropalit vijnë pasi Rama u shpreh se brenda Partisë Socialiste ka “disa shpirtra të humbur” që flasin për një Shqipëri të re, duke ironizuar se ende pret një projekt konkret nga ata që e mbështesin këtë ide. m.k





