Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Shqipëria duhet të zbatojë legjislacionin e Bashkimit Evropian, përfshirë atë mjedisor, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se hetimi i SPAK për çështjen e pronave në Zvërnec është i mirëpritur, por investimi në zonë nuk do të ndalet.
Costa po viziton Shqipërinë ku u takua me Kryeministrin Rama dhe Presidenti Begaj.
I pyetur nga gazetarët për projektin që ka shkaktuar debate dhe protesta në zonën e Zvërnecit, Costa theksoi se në procesin e integrimit evropian Shqipëria duhet të respektojë plotësisht legjislacionin e Bashkimit Evropian, përfshirë atë që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.
“Në procesin e anëtarësimit pritet që Shqipëria të jetë në përputhje me legjislacionin e BE përfshirë mjedisin. Nuk mund të flas për një projekt të veçantë…Me rëndësi është vënia në zbatim e legjislacionit Europian në Shqipëri”, tha Costa.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u ndal te hetimi i SPAK për çështjen e pronave në Zvërnec dhe sekuestrimi i llogarive bankare të kompanisë “Albania Land Development”.
Rama tha se e mbështet hetimin për origjinën e pronës, por theksoi se investitorët që kanë blerë pronat janë të ligjshëm dhe me reputacion ndërkombëtar.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë; pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe e nxis këtë hetim.
Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha pasi investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare për të përcjellë pagesën janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kjo çështje, siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë.
Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone, mund të marrin ato para dhe të gjitha janë të lumtura përveç palës që ka mashtruar.
Do t’u bëja thirrje zëdhënësve të vetofruar që të mendohen disa herë për të shkruar disa të vërteta sepse cenojnë Shqipërinë. Dihet kush janë investitorët sepse janë njerëz me reputacion.
S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet. Nëse janë për pronën, ka rrugën e vet dhe mund të çojë në zgjidhje ideale”, tha Rama.





