Nga Irena Beqiraj
Sot të gjithë duhet të jemi në shesh kundër formës më të rrezikshme të korrupsionit kapjes së shtetit , ku oligarkët, kompanitë, rrjetet kriminale e kanë shndërruar makinerinë e demokracisë në një mekanizëm për pasurimin dhe pushtetin e tyre.
Në shtetin e kapur, ligjet (Ligji i Investimeve Strategjike , Ligji i Menaxhimit të Pronave në Bregdet , Ndryshimet në Ligjin e Zonave te Mbrojtura, Ndryshimi në Ligjin e Menaxhimit të Porteve) përdoret si instrumente nxitëse të njëanshme për transferimin e pronës pa proçedura garuese e pa transparencë nga publiku edhe qytetarët e thjeshtë tek një grup i caktuar kompanish që jo fare çuditërisht janë edhe përfitues të kontratave të tjera publike edhe pronarë mediash .
Që nga viti 2015 me anë të ligjit të Investimeve Strategjike qeveria ka trasferuar tek investitorët strategjikë mbi 5.8 km² tokë bujqësore dhe truall kryesisht në zonën e çmuar bregdetare jugore, përmes kontratave të qirasë 1 euro ( pa përfshirë Sazanit dhe Zvërnecin ). Po me ligj është dëmtuar edhe më rëndë prona private e qytetarëve të thjeshtë duke trasferuar atë me vlera qesharake në duar të oligarkëve. Prsh, me anë të ligjit të miratuar përgjatë vitit 2020 “Për menaxhimin e integruar të zonave bregdetare” qeveria u ka hequr pronarëve të tokave në bregdet të drejtën për shitjen apo zhvillimin e lirë të tokave të tyre duke i dhënë shtetit të drejtën e parablerjes të çdo toke private në bregdet ose duke i detyruar pronarët që zhvillimi i tyre mund të bëhet vetëm me kontrata PPP ose si investim strategjik.
Këtyre investimeve strategjike Kryeministri u di vetëm vlerat por të gjitha janë bërë pa studime fisibiliteti, pa transparencë edhe pa përfitime të qënesishme për ekonominë . Le të publikojë studimin e fisibilitetit të projektit Alabar, apo AIR Air Albania-s por nuk ka ! ( kujdes ndonjë i paditur që kanë pushtuar qeverinë edhe Kuvendin të mos ngatërrojë planin e biznesit me studimin e fisibilitetit)
Po ashtu, në shetin e kapur shtrembërimi i proçedurave të prokurimit kryhet lehtësisht me anë të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të cilat përdoren si instrument për të forcuar lidhjet midis politikanëve dhe aktorëve privatë, duke shërbyer si mjete për legjitimimin e korrupsionit . Shembuj ekselent të përdorimit të ndërmarrjeve shtetërore për të trasferuar prona dhe para publike pa proçedurë tek privati janë Korporata e Investimeve Strategjike , Kayo edhe rrjeti i kompanive të krijuara nën të , ADS e cila do të transferojë aktivitetin e AKSHIT tek një kompani tregëtare me pjesëmarrje shtetërore , apo AIR ALBANIA e falimentuar tani më .
Ndërsa treguesi përfundimtar i kapjes së shtetit është çmontimi i qëllimshëm i mekanizmave që i mbajnë zyrtarët publikë përgjegjës për menaxhimin e aseteve shtetërore, ku përfshihet edhe media.
Emisionet e djeshme televizive ishin po ashtu një tregues se kapja e shtetit nuk është vetëm vepër e individit që drejton shtetin , e as vetëm mercenarëve partiakë të Kuvendit , të cilët çertifikojnë çdo ditë kapjen e shtetit, janë analistët , gazetarët ekspertët ,emisionet televizive të dedikuara, që ndërtojnë edhe shpërndajnë narrativat që justifikojnë veprimet e kapjes së shtetit . Janë atë që ofrojnë në opinionin publik kornizën ideologjike që justifikon “përdorimin” e institucioneve shtetërore për t’i shërbyer interesave të një grupi njerëzish .
Që qeveria të transformohet nga një qeveri “për popullin” në një kompani që synon maksimizimin e fitimit të një grupi investitorësh pranë qeverisë edhe aktivitetet korruptive të duken të ligjshme, nuk mjafton Taulanti , Ulsiu, Zeqineja , Sara , Zamira , apo edhe Bajram Bega, duhet të blesh mediat.
Shikoni me kujdes infogramat e mëposhtëme , të cilat tregojnë përfitimet e mediave nga prona , të drejtat eskluzive apo fondeve buxhetore, që dje na mbushnin mendjen për projekte me shifra miliardëshe si ato që vendoseshin apriori në zyrën e Agasit .
Mediave që na flisnin se të jesh kamarier , pastrues apo kopshtar e recepsionist në resortet e Frangajt , Dulakut , Mulajt , Manes apo Kastratit quhet zhvillim!
Zhvillimi që flasin “të blerët e ditur” krijon një shoqëri me dy nivele: një elitë të vogël që kontrollon pasuritë e paluajtshme dhe një fuqi punëtore me kualifikim të ulët. Ky model as nuk ndërton kapital produktiv dhe as nuk zhvillon burimet njerëzore të nevojshme që kërkon zhvillimi .
Ne duhet të jemi në shesh , jo vetëm kundra projektit pa projekt e garë të Zvërnecit por , kundra pushtimit të shtetit të kapur , për të treguar se vullneti i publik është kundër mizerjes që ofron ky pushtet.









