Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Sarandë, pasi dyshohet se ka dhunuar ish-bashkëjetuesen e tij dhe ka kanosur atë dhe familjarët e saj me armë zjarri.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në fshatin Shelegar. Shtetasi K. C., 31 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-bashkëjetueses së tij, ku e ka dhunuar fizikisht.
Burime nga policia bëjnë me dije se 31-vjeçari dyshohet gjithashtu se e ka kanosur me armë zjarri ish-partneren dhe familjarët e saj, ndërsa ka qëlluar disa herë në ajër, duke shkaktuar panik në zonë.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë, duke organizuar operacionin për kapjen e autorit. Falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve, 31-vjeçari është lokalizuar dhe është vënë në pranga.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sqarimin e mëtejshëm të saj.



