Në procesin gjyqësor ndaj Leonard Duka dhe Drianto Bardhi ka dëshmuar fotografi Klevin Halili, i cili është i njohur për bashkëpunimin e tij me modelen Trejsi Sejdini.
Gjatë dëshmisë në gjykatë, Halili deklaroi se nuk e njeh Leonard Dukën dhe se nuk kishte dëgjuar më parë për të. Ai tregoi se me Trejsi Sejdinin ka miqësi dhe bashkëpunim profesional, duke theksuar se kanë realizuar së bashku sete fotografike dhe kanë kaluar edhe pushime jashtë vendit.
Sipas tij, në janar të vitit 2020 ata udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara dhe qëndruan në New York me qëllim pushimi për rreth një muaj. Halili tha se qëndrimi i tyre u zgjat për shkak të pandemisë së COVID-19. Ai tregoi se gjatë kësaj periudhe Sejdini mori një banesë me qira, ndërsa vetë qëndroi te motra e tij.
Dëshmitari deklaroi se nuk ishte në dijeni të burimit të të ardhurave të Sejdinit dhe as për ndonjë lidhje sentimentale që ajo mund të ketë pasur në atë kohë. Sipas tij, për një lidhje të mundshme mes Sejdinit dhe Leonard Dukës ka mësuar vetëm nga mediat.
Halili shtoi gjithashtu se në disa raste ka tërhequr para në SHBA në emër të Trejsi Sejdinit përmes pikave të transfertave, duke përdorur kodet e dërgesave. Ai theksoi se nuk e dinte se kush i dërgonte paratë dhe se nuk ishte interesuar për këtë fakt, pasi, sipas tij, mund të kenë qenë familjarë apo miq të saj.
Dëshmitari deklaroi gjithashtu se kishte dëgjuar se Leonard Duka e kishte ndihmuar financiarisht Trejsi Sejdinin gjatë periudhës kur ajo kishte mbetur në SHBA për shkak të pandemisë, por tha se nuk e di shumën e parave dhe se nuk është takuar ndonjëherë me të.




