Është ndarë nga jeta sot piktori i shquar, akademiku i Kosovës, Rexhep Ferri.
“Ferri u lind në Kukës në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut.
Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.
Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.
Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.
Ferri ka shfaqur shumë ekspozita në vend dhe jashtë si në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.
Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar sot për humbjen e Ferrit duke thënë se emri i tij do të mbetet i skalitur përherë “në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh”.
“Kosova sot humbi akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri. Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës”, ka shkruar Osmani. a.b




