Disa dhjetra fëmijë me pankarta në duar u ulën këtë mbrëmje në shkallët e kryeministrisë për të protestuar për vrasjen e Jonada Avdisë, 7 vjeçe në plazhin e Potamit. “Kë do përqafojnë sonte prindërit e Jonadës” shkruhej në pankartat e tyre.
Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur mbrëmjen e sotme përpara Ministrisë së Brendshme në shenjë proteste për ngjarjen tragjike në Himarë.
Një prej qytetareve tha për kryeministrin Rama se ai ende pa u mbyllur plaga e familjes Avdia, e cilësoi sezonin turistik si një sukses.
“Ju duhet të jepni dorëheqjen, sepse është e shtrenjtë karrigia për ju. Kryeministër, dole pa u mbyllur plaga e ngjarjes tragjike. Ju dolët dhe thatë se ky është sezoni më i mirë ndonjëherë turistik. Ju duhet të heshtnit.
Vetëm këtë fjalë nuk mund ta publikonit në rrjete sociale. Duhet të shkarkonit menjëherë dy ministrat dhe drejtorin e policisë.
Mos të flasim për Presidentin e Republikës, i cili sapo hyri në institucion, filloi pushimet dhe heshti për vdekjen e 7 vjeçares shqiptare. Nuk kemi siguri për vete dhe as fëmijët tanë. Kësaj i thonë me të vra dhe mos me të lënë të qash” – tha një qytetare.
Ditën e sotme u mbajt protesta e dytë para Ministrisë së Brendshme për vrasjen e 7-vjeçares. Disa prej protestuesve kanë lyer me bojë të kuqe muret e Ministrisë së Brendshme teksa kanë kërkuar dorëheqjen e Bled Çuçit.
Ngjarja ndodhi në datën 2 gusht, në plazhin e Potamit në Himarë, kur u godit nga gomonia me dy motorë që drejtohej nga polici Arjan Tase.
Tri ditë më parë Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-shefin e komisariatit të Policisë së Himarës, Arjan Tase, me akuzën e vrasjes me dashje indirekte të 7-vjecares.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Një tjetër qytetar ka paralajmëruar vijimin e protestave, duke u shprehur se populli do i trazojë gjumin këtij regjimi.
Do ja trazojmë gjumin këtij regjimi. Regjimi që ka barriera me popullin e vetë.Është akti më normal që të jepet dorëheqja dhe të largohen të gjithë përgjegjësit” – tha një tjetër qytetar. m.k






