Për të parandaluar zgjatjen e grevës së avokatëve ndaj hartës së re gjyqësore ka ndërhyrë sot ministri i Drejtësisë Ulsi Manja duke iu kërkuar atyre ndalimin e grevës.
Sipas Manjës harta e re gjyqësore krijon balancën mes efiçencës së sistemit dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi edhe pse një sistem është thjesht eficent vetëm nëse siguron akses të qytetarëve në sistem.
“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe eficiencës së sistemit gjyqësor”, deklaron ministri për ATSH.
Në prononcimin për ATSH, Manja thekson se bojkotimi i seancave gjyqësore nuk i shërben askujt, ndërsa apelon që avokatët të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore.
“Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore, pasi ajo të miratohet në qeveri dhe të hyjë në fuqi. Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre, pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, shprehet Manja.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti një grup ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor dhe për dhënien e rekomandimeve lidhur me pamje tjetër të riorganizimit të gjykatave dhe kompetencave të tyre tokësore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.
Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë, ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/