Kraja dhe Nano shpjegojnë operacionin me 18 arrestime, Kraja: I njohim edhe...

Kraja dhe Nano shpjegojnë operacionin me 18 arrestime, Kraja: I njohim edhe kokat e tyre, do i gjejmë

133
0
Shares

Kreu i SPAK Arben Kraja dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhanë detaje në lidhje me operacionin e kryer në disa qytete të vendit përmes të cilit u goditën 8 grupe kriminale, 4 në Elbasan, 1 në Durrës dhe 3 në kryeqytet.

Kraja u shpreh se shefat e këtyre grupeve janë identifikuar, edhe pse një pjesë e tyre mbeten në kërkim. Në pranga ka rënë dhe një punonjës policie në nivele drejtuese.

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP.

Nano u shpreh se herët apo vonë, të gjithë personat e shpallur në kërkim do të vendosen përpara drejtësisë.

Arben Kraja: Personi që ju thoni ka qenë pjesë e policisë së shtetit, detaje të tjera nuk mund të themi, se janë pjesë e hetimeve. Nuk kemi asnjë dyshim për konspirim, siç e dëgjuat ishin marrë të gjitha masat që të zbatohen vendimet e gjykatës.

Personat që ende janë në kërkim nuk mund të jap emra, jemi të vendosur për ti shkuar deri në fund.  Padiskutim që do të bëhen të gjitha hetimet, për grupin, pjesë kanë qenë dhe vendimet e gjykatës për të ushtruar kontrolle.

Sa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit ka qenë shumë i përfshirë, dhe kanë bërë një punë shembullore në këtë rast. Sa kohë që kemi evidentuar grupet, ne padyshim që kemi evidentuar dhe rolet e secilit prej tyre.

Gledis Nano: Janë evidentuar prova dhe ndaj është vendosur nga gjykata lëshimi i këtyre urdhërarresteve, ky është operacion ende në zhvillim, jemi të vendosur të përballemi me çdo grup kriminal.

Kraja: Ne kemi detyrimin që të njoftojmë publikun për atë që ka ndodhur.

Nano: Policia është në këmbë, dhe ka marrë masat, personat që janë në kërkim, të jeni të sigurtë që mos tani pak më vonë do të vendoset përpara drejtësisë.

Kraja: Arrestimet janë bërë në bazë të provave, për të tjerat nuk mund tiu japim detaje. Koncepti provë përfshin qoftë dëshmitë, përgjimet. Jua dhashë përgjigjen përpara.

Kreu i SPAK Kraja tha se është zbuluar se si funksiononin grupet dhe detaje nga krimet e tyre. Ata akuzohen për krime dhe tortura të rënda, si dhe porositje vrasjesh të kundërshtarëve. Po ashtu Kraja ka thënë gjatë konferencës për media, se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te medha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare.

Janë lëshuar 32 urdhër arreste ndërsa është bërë kontrolli i 28 banesave.

Kraja: Pas hetimeve intensive te grumbullohen prova për ngjarje kriminale dhe autorëve të tyre, më 14 prill për vrasje , armbëmbajtje pa leje e kryer në bashkëpunim nga grupet e strukturuara kriminale. 

Për disa vrasje të kryera, vrasje te mbetura në tentative, shkatërrim prone.

U evidentuan të dhëna për identifikimn e këtyre veprave penale.

8 grupe të strukturuara kriminale, në Tiranë Durrës dhe Elbasan. Keto grupe në dëm të jetës.

Pjesëtare të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri- tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te medha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare.

Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të larte rrezikshmërie shoqërore.pas kërkeses së SPAK, janë caktuar masa arrest me burg për 32 shtetas. Kontrolli i banesave të 28 shtetasve të tjerë.

Pas operacionit të bujshëm ditën e sotme, kreu i policisë së shtetit Gledis Nano tha në konferencë për mediat se janë  ekzekutuar 18 masa arresti dhe janë kryer kontrolle në 20 banesa.

Nano tha dhe disa nga emrat e personave të cilët janë vënë në pranga për aktivitete të ndryshme kriminale janë:Nuredin Dumani, Enrik Hoxha, Ardian Uzuni, Altin Doci, Skerdi Tasi, Leonard Palushi, Gentian Sharra, Erion Alibej, Florenc Çekrezi, Ervis Koçi, Ilirjan Peçi, Petrit Çoli, Agron Çoli,Besjan Xhixha.

Ai paralajmëroi dhe punonjësit e policisë, duke theksuar se do të përballen me ligjin në rast se bëhen palë me krimin.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, mbajtur në SPAK, gjatë konferencës për operacionin “Golden bullet”.

Përshëndetje të gjithëve,

Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale.

Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit.

Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, që bashkërisht të parandalojmë, të evidentojmë dhe të godasim paligjshmërinë, krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti, me qëllim krijimin e një ambienti shumë më të sigurt për qytetarët dhe aspak të sigurt për shkelësit e ligjit.
Faleminderit!”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY