KRITERET/ Nga 1 janari 2017 transporti ndërqytetës vetëm me autobus

KRITERET/ Nga 1 janari 2017 transporti ndërqytetës vetëm me autobus

431
0
Shares

Që nga 1 janari i vitit që vjen, transporti nga një qytet në tjetrin do të bëhet vetëm me autobus dhe me orare të përcaktuara paraprakisht.
Ministria e Transportit ka lëshuar një udhëzim nëpërmjet të cilit sqarohet se si do të funksionojë transporti ndërqytetës nga 2017-a.
Në udhëzim është përcaktuar që periudha e vlefshmërisë së një licence që lëshohet në emër të shoqërisë së transportit është 10 vjet dhe është e patjetërsueshme dhe e patransferueshme.
Për shërbimin e rregullt në transportin qytetës të udhëtarëve me autobus, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti, për linjat e miratuara nga këshilli bashkiak.
Për shërbimin e rregullt në transportin rrethqytetës të udhëtarëve, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti, për linjat e miratuara sipas përcaktimeve të ligjit për transportet rrugore.
Licenca për shërbimin e rregullt në transportin ndërqytetës të udhëtarëve, lëshohet nga ministri përgjegjës për transportin rrugor.
Licenca për shërbimet e rregullta të specializuara, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti.
Licenca për shërbimet vajtje–ardhje të transportit të udhëtarëve do të lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti dhe kur ky shërbim kryhet brenda juridiksionit të bashkisë.
Në udhëzimin e Ministrisë së Transporteve sqarohet se, në linjat e rregullta ndërqytetëse certifikohen vetëm mjetet e konstruktuar për transportin e udhëtarëve me më shumë se 19 vende, përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit dhe certifikata e operimit për transportin e udhëtarëve lëshohet dhe rinovohet me afat deri në 5 vjet.
Ministria e Transportit bën thirrje se, shoqëritë e reja të transportit të krijuara nga bashkimi i atyre ekzistuese, duhet të sjellin dokumentacionin në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, brenda datës 30. 09. 2016.
Nëse kushti i domosdoshëm i bashkimit të operatorëve ekzistues të transportit në një shoqëri të vetme, nuk plotësohet brenda këtij afati, përzgjedhja dhe licencimi i shoqërisë së re do të bëhet në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, (konkurrim/ankand).
Shoqëritë do të pajisen me Licencë për grup linjat me origjine bashkinë përkatëse, sipas këtij udhëzimi, i cili parashikon dhe planin e rinovimit total të flotës së autobusëve për një periudhë 5-vjeçare, me qëllim plotësimin e standardit të kërkuar të autobusëve.
Autobusët që operojnë në transportin e udhëtarëve brenda vendit duhet të plotësojnë standardet e sigurisë rrugore të mjetit, standardet e miratimit të tipit, e nxjerrjes së gazrave dhe zhurmave sipas standardeve të BE, si dhe kërkesat e komoditetit në transportin e udhëtarëve.

Për autobusët që certifikohen për herë të parë për operim në linjat e rregullta, sipas këtij udhëzimi, viti i prodhimit do të jetë si më poshtë:
– Autobusët në transportin ndërqytetës në linjë kryesore të rregullt të udhëtarëve, duhet të jenë jo më pak se 10 vjet nga viti i prodhimit, (që në vitin e parë të rinovimit, 2017, korrespondon me standardin Euro 4);
– Për autobusët në transportin ndërqytetës, në linjë ushqyese, në shërbimet e rregullta të specializuara, në shërbimet vajtje-ardhje duhet të jetë jo më pak se 15 vjet nga viti i prodhimit, (që në vitin e parë të rinovimit, 2017, korrespondon me standardin Euro 3);
– Për autobusët në shërbimet e rastit, duhet të jetë maksimumi 12 vjet nga viti i prodhimit, (që korrespondon me standardin Euro 4).

Plani i rinovimit të flotës së autobusëve miratohet nga ministri përgjegjës për transportin rrugor, dhe mosrespektimi i tij, përbën shkelje të rëndë dhe arsye për heqjen e licencës së shoqërisë. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY