Varreza të reja masive në Mariupol, Rusia synon të mbajë edhe Ukrainën...

Varreza të reja masive në Mariupol, Rusia synon të mbajë edhe Ukrainën jugore dhe më pas të kapë Moldavinë

44
0
Shares

Zyrtarët ukrainas thonë se pamjet satelitore nga një zonë pranë Mariupolit me grumbuj dheu, tregojnë se ka varreza të reja masive, raporton Zeri i Amerikës.

Lufta nuk tregoi shenja zbutjeje këtë fundjavë, pasi Rusia goditi objektiva në Ukrainën lindore në një ofensivë të re për të marrë qendrën industriale të vendit.

Maxar Technologies publikoi pamje të reja satelitore që tha se tregonin më shumë se 200 varre në një qytet pranë Mariupolit dhe zyrtarët lokalë akuzuan Rusinë se kishte varrosur mijëra civilë në ato varre.

Në Gjenevë, zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se ka prova në rritje se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

“Forcat e armatosura ruse kanë goditur me granata dhe bombarduar pa dallim zonat e populluara, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar spitale, shkolla dhe infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime lufte,” tha Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

OKB-ja tha se duket se Ukraina ka përdorur gjithashtu armë pa diskriminim.

Në planin diplomatik, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një telefonatë të premten i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të angazhohet drejtpërdrejt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë, tha një zyrtar i BE-së.

Zoti Michel bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim me rastin e Pashkëve Ortodokse dhe për një kalim të sigurt për civilët që kërkojnë të largohen nga qytetet e rrethuara si Mariupol.

Presidenti Putin reagoi duke thënë se do të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me homologun Zelenskiy vetëm nëse diskutimet e vazhdueshme midis dy vendeve japin rezultate konkrete, siç njoftoi Kremlini të premten.

Ndërkohë kryeministri Boris Johnson tha po të premten se Britania planifikon të rihapë ambasadën e saj në kryeqytetin ukrainas të Kievit javën e ardhshme.

Një gjeneral i lartë rus tha se Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, objektiva lufte shumë më të gjera nga sa kishte pranuar më parë.

Ukraina tha se komentet e tij vërtetonin se pretendimet e mëparshme të Rusisë se nuk ka ambicie territoriale, nuk janë të vërteta.

“Ata tani e thanë hapur”, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës në Twitter, duke shtuar se Rusia “e ka pranuar se synimi i ‘fazës së dytë’ të luftës nuk është fitorja mbi ‘nazistët’, por thjesht pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore”.

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve cituan zëvendëskomandantin e qarkut ushtarak qendror të Rusisë, gjeneralin Rustam Minnekayev të thoshte se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.

Kjo do të nënkuptonte një ofensivë qindra kilometra përtej vijave aktuale. Presidenti rus Vladimir Putin më parë kishte thënë se Rusia nuk kishte ndërmend të pushtonte përgjithmonë qytetet ukrainase.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, një veprim që u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti rus e ka shpallur qytetin port të rrethuar ukrainas të Mariupolit “të çliruar”, pas gati dy muajsh luftime, edhe pse forcat ruse nuk kanë mundur të depërtojnë në fabrikën masive të çelikut Azovstal që mbetet në duart e luftëtarëve dhe civilëve ukrainas.

Në vend që të sulmojë fabrikën, Presidenti Putin ka urdhëruar një bllokadë të objektit, duke e mbyllur atë. Vëzhguesit besojnë se kjo taktikë ka për qëllim të shpëtojë jetët e ushtarëve rusë dhe ndoshta të bëjë të vdesin nga uria luftëtarët dhe civilët brenda uzinës.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se “nuk ka asnjë provë që Mariupoli ka rënë”, por javë të tëra bombardimesh ruse kanë rrafshuar pjesën më të madhe të qytetit.

Më shumë se 100,000 ukrainas besohet se janë bllokuar në Mariupol, që kishte një popullsi prej 400,000 banorësh përpara se Rusia të pushtonte vendin më 24 shkurt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të Mariupolit, por trupat ukrainase vazhdojnë të qëndrojnë në një pjesë të tij.

Ndërkohë OKB-ja njoftoi të premten se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres do të takohet të martën me presidentin Putin në Moskë. Ai gjithashtu do të mbajë takime dhe do të ketë një drekë pune me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Shefi i OKB-së i shkroi presidentit rus të martën duke kërkuar një takim për të diskutuar të ardhmen e hapave drejt paqes në Ukrainë. Ai gjithashtu i shkroi presidentit ukrainas Zelenskyy.

Zëdhënësi i zotit Guterres tha se zyra e tij është në kontakt me qeverinë ukrainase për planifikimin e një vizite në Kiev. Zoti Guterres gjithashtu bëri thirrje këtë javë për një pauzë humanitare 4-ditore që të përkojë me Pashkët Ortodokse, e cila festohet në Ukrainë dhe Rusi. Deri tani, këto përpjekje kanë dështuar. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY