Rusia ka intensifikuar përpjekjet për të marrë nën kontroll rajonet lindore, që janë zemra industriale e Ukrainës, duke sulmuar në një vijë fronti prej qindra kilometrash, që sipas zyrtarëve nga të dyja palët përbën një faze të re të luftës, transmeton Zeri i Amerikës.
Pas dështimit për të marrë kryeqytetin, Kievin, Kremlini shpalli si objektiv të tij marrjen nën kontroll të rajonit lindor të Donbasit. Nëse kjo ndodh, Rusia do të pushtonte një rajon të rëndësishëm të Ukrainës, që Presidenti Putin mund t’ia shiste popullit rus si fitore mes humbjeve në rritje në luftë dhe vështirësive ekonomike të shkaktuara nga sanksionet e Perëndimit.
Gjatë javëve të fundit, forcat ruse që u tërhoqën nga Kievi, janë riorganizuar në përgatitje për një ofensivë në shkallë të gjerë në Donbas, ku forcat separatiste të mbështetura nga Moska, ka 8 vjet që luftojnë kundër ushtrisë ukrainase dhe kanë shpallur dy republika të pavarura, që janë njohur nga Rusia.
Ndërsa Presidenti i Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë, thonë se ofensiva ka filluar, vëzhguesit thonë se ky është vetëm fillimi i një sulmi të ri frontal.
Sulmi i forcave ruse shtrihet në një vijë prej 480 kilometrash, nga verilindja në juglindje të Ukrainës.
Një objektiv kyç është qyteti i Mariupolit, një qytet port, që forcat ruse e mbajnë të rrethuar pothuajse që nga fillimi i luftës.
Rusia lëshoi një tjetër ultimatum sot për dorëzimin e forcave ukrainase në qytet, duke thënë se ata që dorëzohen do të shpëtojnë gjallë. Në të kaluarën, forcat ukrainase nuk i janë bindur ultimatumeve për t’u dorëzuar.
Marrja e Mariupolit do t’u krijonte mundësinë forcave ruse të krijonin një urë lidhëse midis Rusisë dhe Krimesë, që Moska e aneksoi në 2014, si dhe do ta linte Ukrainën pa një prej porteve të saj kryesore.
Denys Prokopenko, komandanti i një prej regjimenteve të ushtrisë ukrainase, që mbron ende disa xhepa të rezistencës në qytet, tha se forcat ruse kanë hedhur bomba kundër bunkerëve në një fabrikë çeliku ku ndodhen forcat e tij. Në fabrikë, një ndër më të mëdhatë në Evropë, me një sipërfaqe prej rreth 11 kilometrash katrorë, mendohet se strehohen edhe civilë.
Ndërkaq forcat ukrainase në vijën e frontit në lindje të vendit thonë se janë të përgatitura për t’u përballur me sulmin e ri të forcave ruse. Pasi deklaroi se marrja e rajonit Donbas është objektiv kryesor i luftës, Moska ka rifilluar ofensivën e plotë ushtarake përgjatë një fronti me gjatësi prej 480 kilometrash.
Forcat ukrainase në vijën e frontit në rajonin Donbas në lindje të vendit, thonë se janë të gatshme të përballen me ofensivën e forcave ruse.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes publikoi pamje të ushtarëve që mbrojnë pozicionet në zonat e rajonit Donjetsk që kontrollohen nga qeveria.
“Siç thashë edhe në 2016, nëse shkelin në territorin tonë, atëherë le të vinë. Do të qëndrojnë këtu përgjithmonë. Ka tokë të mjaftueshme këtu për (t’i varrosur) të gjithë. Qoftë edhe një gjysëm metri të hyjnë, nuk do të ketë pikëpyetje. Do të marrin atë çfarë meritojnë”, thotë një ushtar ukrainas.
Rajoni Donbas i Ukrainës është përgjithësisht industrial dhe shumica e popullsisë flasin rusisht. Separatistët e mbështetur nga Moska i kanë luftuar forcat ukrainase gjatë tetë viteve të fundit dhe kanë shpallur dy republika të pavarura që janë njohur nga Rusia. Ushtarët ukrainas janë përgatitur tashmë për sulme më komplekse.
“Nuk menduam për aviacionin. Menduam më shumë për artilerinë, se do të përdornin vetëm artileri. Por, na u desh të mësojmë edhe se si janë sulmet ajrore”, thotë një ushtar ukrainas. VOA
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/