1-Numrat e Kuçovës e më gjerë
Javën e kaluar isha i pranishëm në Foltoren e PD-së në Kuçovë; aty kam shërbyer si deputet përgjatë dy legjislaturave. Ashtu si dhe në Berat pjesëmarrësit në tubim ishin po ata të konferencës së degës PD ku kam marrë pjesë deri në v. 2017; shto këtu nja dy duzina të rinj që i shihja sefte.
Diskutimet u çelën me një përshëndetje e raportim të kryetarit të degës: nga 107 delegatë të degës PD-Kuçovë 82 syresh e kishin nënshkruar kërkesën për kuvendin e jashtëzakonshëm në 11 dhjetor; nga 25 anëtarë kryesie kishin firmosur 16. Kryetarin e degës që ishte ulur pranë meje e pyeta për delegatët jo nënshkrues. Më tha se gjysma janë në emigracion, çereku është i pavendosur dhe çereku i fundit e ka syrin tek 18 dhjetori; të njëjtat raporte vlejnë edhe për ata të kryesisë.
Kuçova më konfirmon realitetin partiak që kam hasur më parë edhe në degë të tjera në vend. Përmes kontakteve me të njohur apo vizitave në terren me shfaqet kudo po ajo pamje: partia është zgjuar nga letargjia e kërkon ndryshim duke filluar nga kreu; ajo kërkon riorganizim, riorientim e politika të reja edhe pse për këtë të fundit vizioni është jo krejt i qartë por në debat e sipër.
2-Baza e superstruktura
Në historinë e partive tona në pluralizëm ka patur plot episode me konflikt të brendshëm. Ka patur tubime me përkrahës por edhe me militantë kontestues; këta të fundit si rregull me volum zanor të lartë, shpesh verbalisht të dhunshëm e ndonjëherë edhe fizikisht. Këto episode e lëvizje shkaktuan dinamika të ndryshme që ndikuan në profilin e partive fillestare e atyre që pasuan.
Lëvizja e Foltores dallon nga të mëparshmet:
a- se sfidon drejtues partiakë të cilët kanë shënuar vetëm disfata zgjedhore përgjatë tetë viteve. Në rastet e mëparshme kredibiliteti e legjitimiteti i drejtuesve zyrtarë nuk ka qenë në nivel kaq të ulët.
b- se arrin të përfshijë në debat dhe të sigurojë përkrahjen e një numri të lartë aktivistësh e përfaqësuesish të cilët reflektojnë mazhorancën e anëtarësisë e përbëjnë shumicën e kuvendit e mbase të organeve të dala nga kuvendi si këshilli e kryesia.
c- se po ndjek me pedantizëm rrugën statutore për arritjen e synimit politik të shpallur: duke mbledhur me durim nënshkrimet e çdo delegati për të shkuar më pas, sipas rregullave, tek kuvendi. Ata që e kritikojnë Foltoren si “jo konservatore” sepse nuk sillet si “institucionale” por si “revolucionare” duket se po fiksohen vetëm tek ca verbalizma të nxehta, me gjasë dhe të tepruara, dhe nuk po dallojnë dot as pemën e veçantë në pyll dhe as pyllin që formojnë pemët.
Nga ana tjetër drejtuesit zyrtarë fatkeqësisht po dëftojnë përditë e më shumë jo vetëm një mohim realiteti (problem psikologjik) por dhe refuzim të tij (problem ndërgjegjeje). Kur ky realitet është mazhoranca e njerëzve që të ka votëbesuar e bartur për vite të gjata atëherë refuzimi i tij duket si çështje karakteri. Po të besojmë postulatin marksist të bazës e superstrukturës dhe të projektojmë aty situatën në PD, gjërat nuk mund të përfundojnë mirë për drejtuesit zyrtarë. Por edhe po nuk e besuam postulatin prapë përfundimi duket po ai.
3-Foltorja si rilindje e konservatorizmit
Një nga aspektet interesante të Foltores është trajtimi i çështjeve social-kulturore në prizëm “politikisht jokorrekt”. Denoncimi i qeverisë për korrupsion, krimininalitet e të tjera si këto janë vargje nga një refren tetëvjeçar. Por referimi tek tradita, kundërshtimi i ideologjive gender, fokusi tek familja konvencionale e më tej tek masat shtetërore për të lakuar përpjetë kurbën demografike janë një freskim i mirëpritur i debatit publik. Këto tema i shërbejnë edhe diferencimit programatik mes partive duke i bërë publikut më të qartë dallimin e votuesve më të lehtë zgjedhjen.
Ky profil konservator nuk vjen në kontekstin më të favorshëm. Një pjesë e organizmave ndërkombëtare me prezencë në Shqipëri janë ndikuar, ku më shumë e ku më pak, nga marrëzia “woke” e nga prekursorët e saj. Por edhe kundërshtari politik, ndërsa vetëshpallet progresist, është një lloj hibridi në këtë lëmë. Ai viziton Vatikanin pasi ka nxitur me dorë të fshehur letrat për prindin 1 dhe 2.
Gjithësesi qartësia e besimit dhe besimi tek parimet janë e do të mbeten një vlerë e shtuar në Partinë Demokratike.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
29 nëntor 2021
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/