Nga Sami Curri
Një 35-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë Albchrome të minierës së Bulqizës. Sipas Policisë Dibër, ngjarja ka ndodhur reth orës 18:35.
”Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar shtetasi E. A., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.”
Kompania AlbChrome – pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, në një njotim fillestar fajësoi për pakujdesi minatorin e aksidentuar.
“Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18-të të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Nje katror i armatimin e ka zënë posht minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen.” thuhet në reagimin e Albchrome.
Por në një njoftim të mëvonshëm, kompania deklaroi se analiza e aksidentit do të ndodhte në një moment të dytë dhe ofroi ngushullimet për familjarët e viktimës.
“Në këto momente jemi thellësisht të tronditur nga aksidenti dhe humbja e jetës të kolegut dhe shokut tonë dhe e gjithë vëmendja jonë është përqendruar tek familjarët e viktimës, ndaj të cilëve Albchrome shpreh ngushullimet më të ndjera,” deklaroi kompania minerare.
”Në një moment të dytë do të ketë një analizë të plotë dhe të detajuar mbi shkaqet e ngjarjes,” shtoi Albchrome.
Punëtorët e shumtë që ndodheshin në Spitalin e Bulqizës, i thanë BIRN se minatori i aksidentuar për vdekje quhet Elti Alla.
Vetëm pak muaj më parë në galeritë e kromit në Selishtë të Dibrës humbën jetën 2 minatorë dhe një inxhinier minierash, teksa ishin duke punuar. Ndërsa në shkurt të këtij viti një minator 49-vjeçar humbi jetën teksa punonte në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë.
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.
Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektorati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentin në vendin e punës në këtë qark.Birn
Shënim: Titulli është i droni.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/