Raporti per Biden dhe Ukrainen, aludon per konflikt interesi

Raporti per Biden dhe Ukrainen, aludon per konflikt interesi

86
0
Shares

Në SHBA, dy komisione të Senatit të udhëhequra nga republikanët publikuan të mërkurën një raport me tone politike, ku aludohej se puna e bërë në Ukrainë nga i biri i kandidatit demokrat për president Joe Biden përbënte konflikt interesi për administratën Obama.

Në atë kohë, zoti Biden mbante postin e nënpresidentit dhe ishte i angazhuar me politikën për Ukrainën.

Megjithatë, në raport thuhet se është “e paqartë” se çfarë ndikimi pati në politikën e administratës Obama për Ukrainën pozita e zotit Hunter Biden si anëtar bordi i një kompanie ukrainase të gazit. Gjithashtu, raporti nuk ofron asnjë provë për të mbështetur njërën nga akuzat më provokuese të Presidentit Donald Trump se nënpresidenti Biden bëri presion që Ukraina të shkarkonte kryeprokurorin e saj për të mbrojtur djalin e tij.

Fushata e zotit Biden reagoi menjëherë për raportin, i cili del gjashtë javë para zgjedhjeve, duke e quajtur përpjekje të një aleati të zotit Trump për të dëmtuar rivalin e tij në zgjedhje.

Presidenti Trump ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen tek puna e zotit Hunter Biden në Ukrainë, edhe pse administrata e tij ka paralajmëruar se ekziston një përpjekje ruse për të denigruar kandidatin Joe Biden, madje ka pohuar se një ligjvënës ukrainas, i përfshirë në përhapjen e aludimeve anti-Biden, është një “agjent aktiv rus”.

Senatori republikan Ron Johnson, i cili bën pjesë në Komisionin për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare, një prej dy komisioneve që publikuan raportin me 87 faqe, kishte pranuar në intervista synimin e tij për ta bërë dokumentin publik përpara zgjedhjeve, duke i thënë agjencisë së lajmeve Associated Press muajin e kaluar se “populli amerikan meriton të vërtetën” në lidhje me këtë hetim të ndërmarrë prej tij.

Hetimi u bë shkak për përplasje të ashpra politike. Demokratët akuzuan zotin Johnson për një nismë të motivuar politikisht në një kohë kur, sipas tyre, Komisioni i Sigurisë duhej të përqendrohej te pandemia e koronavirusit dhe çështje të tjera, më pak partiake. Qysh para se të publikohej raporti, fushata e zotit Biden bëri një deklaratë të hollësishme që synonte t’u kundërvihej akuzave një për një dhe që, sipas saj, ishin përgënjeshtruar prej kohësh nga mediat si dhe nga zyrtarët e SHBA dhe ata ukrainas.

Raporti i Senatit shqyrton marrëdhëniet e zotit Hunter Biden në Ukrainë, ku ai mbante një vend të paguar në bordin e kompanisë së gazit Burisma dhe në të aludohet se puna e tij përbënte një konflikt interesi pasi i ati i tij, Joe Biden ishte nënpresident në atë kohë dhe merrej me politikën për Ukrainën.

Ai i referohet një emaili të vitit 2016 nga George Kent, ish-zëvendës shefi i misionit në ambasadën e Kievit, që e përshkruan praninë e zotit Hunter Biden në bordin e Burismas si diçka “shumë të vështirë për të gjithë zyrtarët amerikanë që përpiqen për një axhendë antikorrupsioni në Ukrainë”. Zoti Kent dëshmoi për shqetësimet e tij gjatë procedurave të shkarkimit kundër presidentit Trump vitin e kaluar.

Një tjetër zyrtar i Departamentit të Shtetit, Amos Hochstein, sipas raportit, e kishte ngritur çështjen direkt tek zoti Biden pasi shqetësohej se rusët po e përdornin rolin e djalit të tij në kompaninë Burisma për të mbjellë dezinformata.

Raporti thotë se edhe pse zyrtarët e Departamentit të Shtetit e konsideronin kreun e ndërmarrjes, Mykola Zlokevsky, si të korruptuar, ish-nënpresidenti Biden nuk u mor me këtë çështje.

“Ajo që krerët e komisioneve zbuluan gjatë këtij hetimi është se administrata Obama e dinte që pozicioni i zotit Hunter Biden në bordin e Burismas ishte problematik dhe ndikoi negativisht në zbatimin efikas të politikës për Ukrainën,” thotë raporti.

“Për më tepër, ky hetim tregon shkallën në të cilën zyrtarët brenda administratës Obama injoruan shenjat e dukshme paralajmëruese kur djali i nënpresidentit hyri në bordin e një kompanie në pronësi të një oligarku të korruptuar ukrainas,” shton raporti.

Megjithatë, senatorët republikanë pranojnë se shkalla në të cilën roli i zotit Hunter Biden në bordin e kompanisë ndikoi në politikën e SHBA për Ukrainën është “e paqartë”, dhe raporti nuk përshkruan se si konkretisht pozita e zotit Biden mund të ketë ndikuar te vendimet politike, nëse ka patur një ndikim të tillë.

Nuk ekziston asnjë provë për shkelje nga ana e ish-nënpresidentit apo të birit të tij, i cili ka mohuar se ka përdorur ndikimin e të atit për të ndihmuar Burismën. Por republikanët që i dolën në krah Presidentit Trump në gjyqin e këtij viti për shkarkimin e tij, kërkuan hetime të mëtejshme dhe Ross Johnson, një aleat i ngushtë i zotit Trump, mori kryesimin e hetimit.Associated press

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY